Shkruan: Zekirja Ibrahimi
O Visar, po rri be djalë, se nuk ke ti kaçik për debate politike. Rri, merr ndonjë denar që ta lënë këta të mafisë urbane dhe ata apashat që të kanë vendosur aty dhe mbylle. Më mirë për ty. Se ndryshe nuk të bëjnë punët. Të kam kursyer në fushatë nga keqardhja që mos të të turpëroj para ta afërmve tu, ama ti nuk merr vesh.
Së pari atyre që ta kanë shkruar postimin tregoju se “morri” është insekt e jo koha e kryer e thjeshtë e foljes “marr”. Po ashtu tregoju atyre se edhe fjala “injorancë” shkruhet me një R.
Së dyti, nëse shumë të ka mbetur merak tema e himnit ose ke filluar ta ndjesh veten të gatshëm për debate politike, zgjidhe cilindo TV të duash dhe hajde të debatojmë. Mund t’i marrësh me vete edhe ata që përqafoheshin me djalin e Mijallkovit atë mbrëmje, edhe ata suflerët e fushatës së zgjedhjeve lokale. Kë të duash, kur të duash dhe ku të duash. Veç bën zë.
Tjetër: unë vërtet kam dashur të ta mbroj dinjitetin dhe nuk të kam sulmuar, ama ti si njeri që nuk i merr vesh këto punë, hy llugave vet. Po të kishe pasur ti një fije morali, nuk do të kishe pranuar që ta bësh presedanin e parë në historinë e shqiptarëve në Maqedoni – të bësh koalicion parazgjedhor me LSDM-në, sepse ishe i sigurt se të pret humbja. Pastaj sikur të kishe pasur një fije dinjiteti, kur kriminelët e shtabit tënd ma thyen paswordin dhe ndërhynë në privatësinë time, do të kishe kërkuar falje së paku. Por, ti as aq pak dinjitet nuk ke treguar. Unë prapë të kurseva, por ti nuk merr vesh.
Prandaj, nëse vërtet dëshiron ta dish se kush ka qenë me VMRO-në e Gruevskit, sepse ti në atë kohë ke luajtur futboll dhe nuk i mban mend këto gjëra, duhet të ta kujtoj se nga viti 2008 deri më 2017 në qeveri me Gruevskin ka qenë partia jote. Gjatë asaj kohe, mos t’ardhtë mërzi, partia jote e solli Car Dushanin në Shkup, në atë kohë shqiptarët e Sopotit janë gjykuar me 165 vjet burg, në atë kohë ndodhi rasti i montuar Monstra, motrat tona u tërhoqën zvarrë dhe vëllezërit tanë u gjykuan me burg të përjetshëm, ndërsa bashkëpartiakët e tu dilnin me Shasho Mijallkovin e Jankullovskën e i akuzonin shqiptarët si “terroristë islamikë”. Në atë kohë kryetari yt akuzohet se ka vjedhur miliona euro nga “Maxhar Telekom”. Në atë kohë është vrarë Harun Aliu. Në atë kohë partia jote u thoshte shqiptarëve se luani i VMRO-së është simbol shqiptar. Gjatë gjithë asaj kohe partia jote veç i duartrokiste Gruevskit.
Po rri be djalë, mos ma çel gojën, se nuk kanë fund këto gjëra.
Dhe, diçka tjetër: sa për zgjedhje e për vota, ti e di vet se ke humb. Këtë kanë ardhur ma kanë pohuar edhe njerëzit që i ke pasur në shtab, andaj leje atë punë. Ke humbur edhe në ndërtesën tënde bile. Ta bëri fitoren “shteti i kapur” e ti u ekzaltove.
Së paku mos fol për vota se ashtu të përqesh gjithë bota.
Shih më mirë bën ndonjë punë, sepse vitin tjetër ose do të duhet të ikësh nga Çairi ose të shpjegosh se në sa faqe të Kontratës e ke thyer kontratën, me fjalë të tjera ke mashtruar.