Zaevi do ta marrë mandatin për qeverinë e re, Xhaferi paralajmëroi seancë, ndërsa Ahmeti i pret në takim liderët shqiptar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot duhet t’ia dorëzojë mandatin për përbërjen e Qeverisë së re liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Kryesuesi i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi vazhdim të seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Shtëpisë Ligjvënëse.

Gjatë ditës duhet të mbahet edhe takim i përbashkët i liderëve të partive nga blloku politik shqiptar të cilin e inicoi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Në takim nuk do të marrin pjesë Afrim Gashi nga Aletrnativa dhe partneri i tij i koalicionit lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela të cilët kërkojnë shtyrje për javën e ardhshme, pas 17 gushtit. Në takimin e liderëve nuk do të shkojë as kryetari i Besës, Bilall Kasami, i cili vlerëson se një takim i tillë duhet të mbahet pas formimit të qeverisë së re.

“Zoran Zaev, në emër të koalicionit “Mundemi”, i cili e ka fituar numrin më të madh të mandateve të deputetëve në Kuvend, e informoi presidentin Pendarovski për negociatat me më shumë parti për sigurimin e shumicës së domosdoshme në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë”, thuhet në kumtesën e djeshme të Kabinetit të presidentit i cili mandatin Zaevit do t’ia dorëzojë në orën 12 në Vilën Vodno.

Nga Kabineti i Pendarovskit paraprakisht informuan se presidenti është konsultuar me emra juridik të shquar dhe konkluzioni ishte i qartë: Që të konsiderohet se Kuvendi është konstituuar, nevojitet verifikim i mandateve të deputetëve, ndërsa jo zgjedhja e dikujt.
Sipas kryesuesit të Kuvendit, Talat Xhaferi, nëse presidenti Pendarovski e jep mandatin për formimin e Qeverisë pa u zgjedhur spikeri i tij, atëherë veprimi i tij do të ishte antikushtetues.

Advertisement

“Është jokushtetuese që të jepet mandati pa pasur kryetar të Kuvendit i cili do t’i vendosë në funksion afatet tjera të cilat duhet t’i ndjek Kuvendi, sepse shtëpisë ligjvënëse afatet i fillojnë nga momenti kur do ta marrë njoftimin nga shefi i shtetit se mandati është besuar. Një person i paautorizuar nuk mund t’i informojë deputetët”, konsideron Xhaferi.

Por, shefi i shtetit mbetet në qëndrimin e tij, bënë të ditur nga Kabineti.

“Presidenti Pendarovski, edhe pse i kupton motivet e kryetarit Xhaferi, mbetet në qëndrimin e tij i cili megjithatë e konfirmon edhe praktikën politike në të gjitha vitet e kaluara kur në pushtet ishin opsione të ndryshme politike. Deri të premten, kur skadon afati dhjetëditësh, do ta ndajë mandatin për përbërje të qeverisë së re atij që do të ketë shumicë”, qëndron në reagimin e Kabinetit të Presidentit, i cili, siç shtohet, e pret shkresën me të cilën Xhaferi do të informojë se kuvendi është konstituuar me verifikimin e mandateve më 4 gusht të vitit 2020.

Kryesuesi i Kuvendit Talat Xhaferi dje u ka dhënë udhëzime shërbimeve kuvendore që për sot ta përgatisin vazhdimin e seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Dhomës ligjdhënëse. Tha se, pasi presidenti Stevo Pendarovski do t’ia ndajë mandatin e Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë, do të thotë se lideri i LSDM-së ka shumicë.

Advertisement

Megjithatë, siç bënë të ditur disa media, mbajtja e seancës së sotme është e pasigurt. Shkaku i mundshëm janë obligimet familjare të Xhaferit. Ai mbrëmë në profilin e tij në Fejsbuk tregoi se është bërë gjysh nga vajza. Nga shërbimet e kuvendore tani për tani nuk ka kurrfarë kumtese zyrtare, ndërsa seanca nuk është paralajmëruar edhe në ueb faqen e Kuvendit.

Për mospajtimet mes Pendarovskit dhe Xhaferit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati është decid se përgjigjet në pyetjet vallë Kuvendi është konstituuar ose jo janë në Kushtetutë dhe Rregulloren e kuvendit, ndërsa problemi shkaktohet nga interpretimi i ndryshëm i pjesëmarrësve në proces.

Sipas Kushtetutës, pas ndarjes së mandatit, mandatari në afat prej 20 ditëve Kuvendit duhet t’i dorëzojë program dhe ta propozojë përbërjen e Qeverisë.

Qeveria, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendin me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Njëkohësisht me dorëzimin e mandatit për përbërjen e qeverisë së re Zaevit në Vilën Vodno, lideri i BDI-së i thirri në takim të përbashkët krerët e partive nga blloku politik shqiptar. Krahas Selës, Gashit dhe Kasamit, të cilët thanë se nuk do të marrin pjesë, është ftuar edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Advertisement

Nuk e komentojnë anulimin e Selës, Gashit dhe Kasamit, por thonë se mbeten të hapur për takime të mëtutjeshme gjatë javës së ardhshme ose në cilëndo datë tjetër të ardhshme për të cilën, siç theksojnë, do të merreshin vesh në takimin e sotëm të përbashkët.

Iniciativën e Ahmetit për takim liderësh të partive të bllokut politik shqiptar, e kritikoi kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, duke e e vlerësuar si “presion ndaj tij dhe Koalicionit Mundemi për kryeministër me propozim të BDI-së”.

The post Zaevi do ta marrë mandatin për qeverinë e re, Xhaferi paralajmëroi seancë, ndërsa Ahmeti i pret në takim liderët shqiptar appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy