Kryeministri Zoran Zaev në konferencë për shtyp në Bruksel tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmbushi kireteret për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Këtë e vërtetoi edhe Komisioni Evropian në raportet për përparimin e vendit në Këshillin Evropian dhe liderët e vendeve anëtare të BE-së, në mënyrë shumë të qartë thanë se vendi ka rekomandim të pakushtëzuar për nisjen e bisedimeve”, tha Zaev.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut ka zbatuar reforma, drejtësi dhe sundim të së drejtës dhe tani, siç thotë Zaev, është koha që Bashkimi Evropian ta përmbushë premtimin ndaj nesh.
“Presim të mos ketë anulim të mëtejshëm të bisedimeve. Presim miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me BE-në dhe me këtë ta zyrtarizojmë nisjen e bisedimeve”, tha Zaev.
Sipas tij, identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë dhe asnjëherë nuk kanë qenë temë për të negociuar.
“Kjo as ka qenë dhe as që duhet të jetë në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE. Në çdo moment jemi të gatshëm dhe kemi vullnet që çështjet bilaterale me Bullgarinë t’i diskutojmë por pa ndikuar te aderimi ynë për në BE”, tha Zaev./Telegrafi/
The post Zaev: Pres nisjen e negociatave me BE-në, identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë temë diskutimi appeared first on Telegrafi.