“Fëmijët janë kapital i çmuar i një shteti dhe investimi në ta është investim në ardhmërinë”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me rastin e Ditës Botërore të Fëmijës, 20 Nëntorin.
Në takimin e organizuar së bashku përfaqësuesit e të rinjve, morën pjesë edhe Dejvid Gir, ambasador i Bashkimit Evropian në vend dhe Patricija Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në vend dhe ministrat Milla Carovska, Jagoda Shahpaska dhe Naser Nuredini.
Kryeministri Zaev dërgoi urime me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve i cili është vendosur në datën e sotme në vitin 1989, kur është miratuar Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve.
“Maqedonia e Veriut, si dhe të gjitha vendet tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara, me pranimin e Konventës për të drejtat e fëmijëve, u zotua se do t’i respektojë katër parimet themelore: Mosdiskriminimin; Respektimi i interesave më të mira të fëmijës; E drejta për jetesë, mbijetesë dhe zhvillim; dhe e Drejta e pjesëmarrjes”, tha Kryeministri Zaev dhe shtoi se ky event i fëmijëve me përfaqësues të Qeverisë, UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian, e plotëson parimin e katërt, pjesëmarrja në krijimin e politikave për fëmijë.
Duke u fokusuar në temën e takimit, e ardhmja e arsimit, Kryeministri Zaev nënvizoi se ajo është në harmonizim të tërësishëm me strategjinë për zhvillimin e sistemit arsimor në vend, bazuar në parimin – arsim cilësor në dispozicion për të gjithë.
“Arsimi ynë duhet t’u përshtatet sfidave të reja globale. Pandemia me COVID-19 na tregoi se sa e rëndësishme është që sistemi arsimor të ndryshojë, përshtatet dhe të modernizohet në mënyrë që të sigurojë qasje në procesin arsimor për të gjithë fëmijët, pavarësisht nga problemet me të cilat ata ballafaqohen”, nënvizoi Kryeministri Zaev dhe shtoi se paralelisht me këto sfida specifike, nuk anashkalohen as në detyrimet për krijimin e kushteve për arsimtarë të motivuar dhe digjitalizimin e sistemit arsimor, i cili do t’i përgatisë të rinjtë për nevojat në tregun e punës, ndërsa me këtë do të ulet edhe papunësia te të rinjtë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir, theksoi se nuk është e thjeshtë të arrihen të gjitha elementet për arsim cilësor, por se ndërrimi konstant dhe bashkëpunimi preciz me sistemin arsimor, duke ndjekur teknologjitë dhe sfidat e reja, konsiderohet për punë në progres. Patricija Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në vend tha se Dita Botërore e Fëmijës po mbahet në kohë të një prej sfidave më të mëdha në historinë tonë, pandemia shkaktuar nga virusi korona dhe mu për këtë shkak ky është moment i rëndësishëm dhe mundësi që të dëgjohet se si fëmijët dhe të rinjtë duan ta paramendojnë të ardhmen./Telegrafi/
The post Zaev për Ditën Botërore të Fëmijëve: Investimi te fëmijët, të drejtat e tyre dhe arsimi cilësor, është investim në ardhmërinë appeared first on Telegrafi.