Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe zv.kryeministri i ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe resurseve njerëzore, Ljupço Nikollovski, dërguan letër deri te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe deri te e gjithë përbërja e deputetëve, për rëndësinë e shtëpisë ligjvënëse në proceset lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Në letër përmendet nevoja për unitet në sjelljen e Strategjisë nacionale për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, bashkë me Planin e Veprimit për funksionimin e saj, si dhe ndryshimet e nevojshme ligjore të ndërlidhura me realizimin në kohë të një pjesë të masave nga Plani operativ në luftën kundër korrupsionit.
“Duke u nisur nga nevoja që të eliminohen pengesat dhe që të avancojmë sistemin, gjegjësisht që të sigurojmë që institucionet gjithmonë të jenë në gatishmëri në linjat e para në luftën kundër korrupsionit. Institucionet duhet të sigurojnë, parandalojnë, njohjen dhe sanksionimin e çdo lloji të korrupsionit në të gjitha fushat e pushteti pa përjashtim. Me këtë letër ju drejtohemi Juve, të nderuar deputet, si një lidhje kyçe për miratimin e kornizës së nevojshme ligjore dhe rregullores dhe si përgjegjës për kontrollin dhe mbikëqyrjen mbi institucionet e pushtetit ekzekutiv dhe organeve të pavarura, me apel dhe lutje që ti keni prioritet këtyre proceseve dhe të jepni impuls shtesë i cili do të ndihmojë menaxhimin sistematik me korrupsionin”, qëndron në letrën e Zaevit dhe Nikollovskit.
Ata gjithashtu shprehën falënderim deri te të gjithë deputetët për përpjekjet e deritanishme me një apel që me intensitet edhe më të fuqishëm për mbështetje dhe pjesëmarrje në procesin reformues evropeizmit, përparimin, zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit evropian, për sundimin e së drejtës dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit.
“Mbështetja e ndryshimeve ligjore që dalin nga Plani për luftën kundër korrupsionit, por edhe nga Strategjia nacionale, me konsensus, do të dërgojë një mesazh të qartë te qytetarët, besimin e të cilëve e kemi pikërisht për këtë luftë për një jetë më të mirë. Një hap i tillë konsensual do të dëgjohet dhe do të shihet nga qytetarët si shtetëror dhe i përgjegjshëm. Por, një gjë e tillë do të tregojë edhe gatishmërinë e të gjitha pushteteve që të mbeten në të njëjtën anë me qytetarët”, theksohet në letër.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 02.03.2021, në mbledhjen e 50-të e miratoi dokumentin operativ, “Plani për luftë kundër korrupsionit”,si pjesë e prioriteteve nga “Aksioni 21 – Standarde evropiane në vend”. Ky dokument operativ ka për qëllim që përmes masave sistematike të kontribuojë në parandalimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Zbatimi i tij në masë të madhe varet nga ndryshime të caktuara ligjore të cilat janë të nevojshme për zbatimin e Planit dhe në të njëjtën kohë edhe në pjesën e miratimit të Strategjisë nacional për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, gjë që kërkon edhe përfshirjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
The post Zaev dhe Nikollovski letër Xhaferit: Lufta kundër korrupsionit është qëllimi rreth të cilit duhet të bashkohemi appeared first on Telegrafi.