
“Koalicioni VLEN riafirmon qëndrimin e tij të palëkundur: për aq kohë sa jemi pjesë e pushtetit, ligji për “branitellat” nuk do të kalojë pa përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Çdo tentativë për të miratuar këtë ligj në mënyrë të njëanshme është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe barazisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga koalicioni VLEN, për situatën e krijuar në Komisionin për Punë Sociale, Rini dhe Demografi.
VLEN akuzon LSDM-në për përpjekje për të shtrembëruar faktet dhe për të krijuar konfuzion në opinion.
“Nuk ekziston asnjë shkelje e Rregullores së Kuvendit nga ana e deputetes së koalicionit tonë, znj. Imërlie Saliu-Fetai. Kujtojmë se znj. Saliu-Fetai nuk është kryetare e Komisionit për Punë Sociale, Rini dhe Demografi. Ajo thjesht ka udhëhequr një pikë të rendit të ditës të Komisionit, për të cilën ka marrë autorizim nga Kryeparlamentari, konform nenit 126, paragrafi 3 të Rregullores së Kuvendit. Pra, znj. Saliu-Fetai ka vepruar në përputhje të plotë me procedurat ligjore dhe nuk ka asnjë bazë për pretendimet e LSDM-së. Është e qartë se përmes këtyre veprimeve, LSDM dhe Oliver Spasovski po përpiqen të devijojnë vëmendjen e opinionit publik. Ligji që kaloi sot në Komision ka të bëjë me rritjen e pensioneve, një përmirësim i drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve. Reagimi i LSDM-së dhe Spasovskit është një tentativë e hapur për të bllokuar këtë rritje dhe për të shmangur debatin mbi përfitimet konkrete për pensionistët. Koalicioni VLEN nuk do të lejojë që kjo strategji mashtruese të mbulojë problemet reale me të cilat përballet vendi dhe qytetarët e tij”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
The post VLEN: Ligji për “branitellat” nuk kalon pa përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së appeared first on Telegrafi.