Vizita e kancelarit gjerman në Shkup dhe Sofje shënon përpjekjen e fundit për të thyer ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shkruan “Deutsche Welle”.
Më 4 qershor 2022 një burrë i maskuar shkoi me biçikletë tek klubi kulturor bullgar, Vanço Mihailov në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe i vuri zjarrin derës. Edhe pse përveç derës në ndërtesë nuk pati shumë dëmtime, zjarri rindezi konfliktin e ashpër politik të marrëdhënieve maqedono-bullgare në vitet e fundit.
Edhe pse zjarrvënësi u arrestua shpejt, politikanët në të dy anët e kufirit e shfrytëzuan shpejt incidentin. Presidenti bullgar, Rumen Radev, tha se sulmi me zjarrvënie “ishte një tjetër provokim, pjesë e një fushate të gjatë antibullgare në Maqedoninë e Veriut”. Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin. Megjithatë pati thirrje nga të paktën një parti opozitare dhe shumë individë në rrjetet sociale për protesta në mbështetje të zjarrvënësit.
Klubi bullgar mban emrin e “Vanço Mihailovit”, një revolucionar bullgar, i cili bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Hapja e këtij klubi rreth dy muaj më parë u promovua nga politikanët bullgarë si një veprim pajtues, por ndezi një stuhi zemërimi në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski e dënoi emrin e zgjedhur nga Sofja si një provokim që “nuk kontribuon në afrimin midis dy popujve”.
Këto janë aspekte që kancelari gjerman Olaf Scholz duhet t’i ketë parasysh gjatë vizitës në Shkup dhe Sofje më 11 qershor 2022, në një përpjekje për të gjetur një kompromis që synon fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. Në sfondin e luftës agresore të Rusisë ndaj Ukrainës zgjerimi i BE-së është më i rëndësishëm se kurrë.
The post Vizita e kancelarit gjerman në Shkup dhe Sofje, përpjekja e fundit për të shuar “zjarret” appeared first on Telegrafi.