Regjistrimi i popullsisë dhe objekteve në tre ditët e para me përjashtim të problemeve të përkohshme teknike zhvillohet mirë dhe deri tani janë regjistruar rreth 150 mijë qytetarë. Aplikimi i softuerit për regjistrim është përditësuar dhe sistemi është ristartuar për vazhdim të pandërprerë të regjistrimit.
Drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski dje ka informuar se bëhet përditësim dhe ristartim i procesit që të shmangen çfarëdo problemi në të ardhmen.
“Sa herë që punoni me teknologji, raste të tilla janë të mundshme, ato ishin parashikuar dhe për këtë arsye ekziston një ekip i tërë si nga ofruesi i zgjidhjes së aplikacionit ashtu edhe nga ofruesi i lidhjes në internet, një ekip i përhershëm që është gati të ndërhyjë, njerëzit ndërhynë dhe këtu gjërat po lëvizin”, deklaroi Simovski.
Ai vlerësoi se ka pritje të mirë në mesin e popullatës dhe gjërat po shkojnë pa probleme. Për personat në izolim, regjistruesit do të marrin adresa dhe do të bien dakord me to kur të bëhet regjistrimi, sipas protokolleve, ose të bien dakord dhe të presin derisa personi të lirohet nga izolimi.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian i inkurajon të gjithë në Maqedoninë e Veriut të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe shton se regjistrimi është pjesë e procesit për inkuadrim në BE, njoftoi AIM.
Mundësinë për vetregjistrim të personave në diasporë madje deri dje e kanë shfrytëzuar – 191.890 persona.
Ndryshe, regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut i cili zyrtarisht filloi më 5 shtator do të zgjasë deri më 30 shtator.
The post Vazhdon regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.