Transparenca aktive e ministrive, qeverisë dhe komunave në vitin 2021 është 63 përqind dhe është përmirësuar për pesë pikë, në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas radhitjes vjetore të institucioneve nga Indeksi i transparencës aktive, që e ka përpunuar Qendra për Komunikime Qytetare, ministritë dhe qeveria mesatarisht publikojnë 79 përqind të informacioneve të nevojshme, që është rritje minimale në krahasim me 77 përqind, sa ishte vitin e kaluar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ndërsa për të pestin vit me radhë, tek komunat vërehet transparencë më e ulët në krahasim me ministritë. Komunat publikojnë 60 përqind të informacioneve të nevojshme, që është 5.5 përqind më pak se vitin e kaluar.
Për herë të parë, dy institucione, edhe atë Ministria e Mbrojtjes dhe Komuna e Karposhit, kanë 100 përqind transparencë, duke publikuar çdo informacion.
Më pak informacione, ministritë publikojnë për financat, ndërsa komunat për çështje me kompetencë të tyre.
Sipas rajoneve, në vendin e parë është ai lindor me 74 përqind transparencë, ndërsa i fundit është rajoni i Shkupit me 49 përqind transparencë.
Nga Qendra për Komunikime Qytetare informojnë se komunat janë përgjigjur mesatarisht për 17 ditë për kërkesat për qasje të lirë në informacione, ndërsa ministritë për 16 ditë, kurse 39 përqind e institucioneve, përgjigjen më vonë se afati i paraparë me ligj.
Indeksi i transparencës aktive është realizuar në kuadër të aktivitetit “Shpenzimet publike për të mirë publike”, i mbështetur nga projekti i USAID-it për pjesëmarrje qytetare./Telegrafi/
The post Vazhdon mungesa e transparencës tek institucionet e Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.