Të nderuar vëllezër e motra, zonja dhe zotërinjë, besimtarë dhe idhtarë të Islamit,
Muaji i Shenjtë i Ramazanit po përfundon dhe të gjithë besimtarët muslimanë po i gëzohen festës së Fitër Bajramit me të cilin po kurorëzojmë agjërimin tonë, ibadetet tona, përpjekjet tona që sa më thellë dhe sa më fuqishëm të demostrojmë besimin e pakufishëm te Krijuesi ynë, Allahu Fuqiplotë, Sundimtari i të gjitha botërave dhe Absoluti i Gjithësisë,
Ne po dalim, të nderuar besimtarë, nga një Ramazan që sivjet ishte pak më ndryshe, por vetëm nga forma e jashtme e tijë, brëndia e Muajit të Bekuar, përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta, ishte e pandryshuar sikur në pesëmbëdhjetë shekujt e shkuar të Islamit.
Në fakt, kam bindjen se Ramazani që po e përcjellim na bëri edhe më të fortë, rreziku që na sillej vërdallë ndikoi të mbështetemi edhe më shumë te Zoti ynë, të jemi më solidarë, të kujtojmë me tërë qenien se jeta, lumturia dhe ardhmëria jonë janë përcaktim i të madhëruarit Zot. Mbi atmosferën përplotë dilema e ankthe që e krijoi Covid 19, ngadhnjyen dashuria dhe besimi ynë ndaj Allahut. Duke madhëruar emrin e Krijuesit dhe duke ndier kënaqësinë e paqes dhe qetësisë që Ai i shpërndau në shpirtërat tanë, ne e ripërtrimë bindjen tonë duke forcuar cilësitë tona të mira dhe duke u menduar më thellë rreth të metave që mund ti kemi.
I nderuari Ummeti i Muhammedit a.s
Këtë Fitër Bajram po e presim me gëzimin të cilin e ndien vetëm besimtari i vërtet, sepse Bajrami është festë që shperblen agjërimin dhe ibadetet e tijë, është festë në të cilën besimtari hyn me forca shtesë të cilat i ka akumuluar gjatë ditëve në të cilat çdo gjë ia ka kushtuar Allahut.
Ndaj, ky Fitër Bajram le të jetë festë falenderimi ndaj Zotit, le të ndriçojë zemrat tona, le të shtojë dashurinë me të cilën do e urojmë njëri tjetrin, do i presim fqinjtë e miqtë. Dashuria jonë le të rrezatojë sa më fuqishëm posaçërisht mbi ata të cilët nuk kanë mundësi të begatojnë sofrën e tyre të Bajramit, mbi të sëmurit, mbi bonjakët.
Me këtë rast, të dashur besimtarë, edhe një herë po shpreh falenderimin dhe mirënjohjen e BFI ndaj sjelljeve të juaja gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe mirëkuptimin që treguat lidhur me masat që patëm, në veçanti për seriozitetin dhe disciplinën me të cilat dëshmuat botëkuptimet e juaja civilizuese pas hapjes së xhamive.
Ju qoftë i gëzuar dhe i mbarë Fitër Bajrami, Allahu xh.sh. ua bëftë kabull agjërimin dhe ibadetet e juaja, paqa e mëshira e Tij qofshin mbi familjet e juaja, mbi më të dashurit e juaj, mbi popullin tone mbrenda dhe jasht vendit e sidomos ndaj diasporës tonë që po feston largë atdheut.
Ju lutem tregoni kujdes për shëndetin e juaj deri në eliminimin e tërësishme të masave që po i imponon pandemia sepse mbrojtja e shëndetit është një obligim i rëndësishëm fetar islam.
Të dashur Besimtarë
Edhe një herë në fund Urime të Përzemërta Festa e Fitër Bajramit. E gzofshi me të gjithë anëtarët e familjeve tuaja, me miq, shokë dhe dashamirë.
Gëzuar për shumë vite…
Urimi i Reisul Ulema të BFI në RMV me rastin e Fitër Bajramit
Share.