U nënshkrua marrëveshja për grantin prej 2,4 milionë euro për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore Tabanoc

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe shefi i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fatih Turkmenoglu sot nënshkruan Marrëveshjen për investim prej 2,4 milionë euro për projektin për ndërtimin e kalimit të përbashkët hekurudhor kufitar Tabanoc. Marrëveshja është pjesë e pakos investuese prej 7.6 milionë euro për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore midis Maqedonisë dhe Serbisë.

Projekti parasheh ndërtimin e një objekti të ri të përbashkët për nevojat e Policisë kufitare, Shërbime doganore dhe inspektuese të Maqedonisë dhe Serbisë, si dhe rinovimin e objekteve ekzistuese në Tabanoc. Gjithashtu është planifikuar ndërtimi i infrastrukturës së re rrugore dhe komunale. Sipas dinamikës së planifikuar, projekti duhet të implementohet për dy vjet. Këtë vit pritet që të zgjidhet kontraktuesi dhe të fillojë ndërtimi i stacionit të përbashkët hekurudhor në objektet përkatëse.

Paraprakisht, BERZH për këtë projekt ka miratuar një kredi prej pesë milionë euro dhe një grant prej 250 mijë euro.

“Bëhet fjalë për vendkalim të përbashkët hekurudhor midis Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë mënyrë do të përmirësojmë komunikimin mes dy vendeve sepse do të kemi një ONE STOP SHOP edhe në sektorin hekurudhor, kur udhëtohet me tren. Shpresoj se kjo do të jetë një hyrje në rivendosjen e linjës së rregullt hekurudhore midis Shkupit dhe Beogradit ku duhen përpjekje nga të dyja palët. Bëhet fjalë për projekt në vlerë 7.4 milionë euro në pjesën e ndërtimit dhe 250.000 euro në pjesën e shërbimeve konsulente dhe mbikëqyrëse. Besojmë se një nga linjat kryesore ekonomike të vendit është Korridori 10 i cili fillon në portet e jugut, Pireut pranë Athinës dhe portit të Selanikut dhe vazhdon në Evropën Qendrore, në vendet si Hungaria, Austria, Çekia dhe Sllovakia. Presim që të përshpejtohet lëvizja e mallrave në të dy kahet, si për import në Evropë ashtu edhe për eksport nga Evropa. Kjo nënkupton vende të reja të punës, rritje të aktivitetit ekonomik dhe natyrisht kalim më të shpejtë të udhëtarëve dhe mallrave nëpër vendin tonë, që sigurisht do ta bëjë edhe më atraktive”, ka thënë zëvendëskryeministri Nikolloski.

Advertisement

Sipas Turkmenoglut, ky projekt është dëshmi e qartë për mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it për përpjekjet e vendit për të përmirësuar infrastrukturën e saj përgjatë Korridorit 10.

“Qëllimi është optimizimi i procedurave të kalimit kufitar me një ndalesë, gjë që do të rrisë efikasitetin dhe do të reduktojë kohën e pritjes. Vendosja e një kalimi të përbashkët kufitar është një investim kyç për të nxitur rritjen rajonale dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi përfitimet që dalin nga lidhjet e forta hekurudhore në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Turkmenogllu.

Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas i cili mori pjesë në nënshkrim, theksoi se kufiri mund të jetë një pengesë, por edhe një dhe mundësi dhe burim i hapur.

“Qëllimi i grantit është të ndihmojë në shfrytëzimin e plotë të potencialit të kalimit të përbashkët kufitar për kalim më të lehtë dhe më efikas të njerëzve dhe mallrave. Ky do të jetë një përfitim për të gjithë Evropën. Duke pasur parasysh se të dy vendet kanë treguar vullnet politik dhe dëshirë për integrim rajonal dhe lidhje brenda BE-së, Komisioni Evropian e filloi këtë projekt në vitin 2014 me vendosjen e platformës së lidhjes, ndërsa sot kemi siguruar financimin e plotë. Tani Maqedonia do të përfitojë nga kapacitetet e përmirësuara përmes krijimit të një hekurudhe të vetme dhe një vendkalimi të vetëm kufitar. Kjo siguron mbështetje të drejtpërdrejtë për përpjekjet e vendit për të avancuar Korridorin 10 i cili gjithashtu do të përmirësojë lidhjet tregtare. Në praktikë, kjo do të sigurojë një reduktim të kohës së udhëtimit dhe do ta bëjë më tërheqës dhe më të sigurt. Derisa Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së, ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë që kufiri të shndërrohet në një mundësi për zhvillim dhe një kalim më të shpejtë në tregun e përbashkët të BE-së”, tha Rokas.

Advertisement

Me Serbinë janë lidhur protokolle ndërmjet policisë kufitare, drejtorive doganore, kompanive hekurudhore për infrastrukturë dhe transport, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë.

The post U nënshkrua marrëveshja për grantin prej 2,4 milionë euro për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore Tabanoc appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy