Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot pati mundësinë të prezantojë verën e Maqedonisë në një ngjarje të organizuar nga Përfaqësia Shtetërore e Renanisë Veriore-Vestfalia në Berlin dhe ambasada e Maqedonisë së Veriut, kumtuan nga MBPEU.
“Për ne, si një vend i vogël, industria e verës maqedonase është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse tregon një potencial pozitiv, duke u pozicionuar si eksportuesi i dytë më i madh në sektorin bujqësor,” theksoi ministri Tripunovski në ngjarje.
Sipas tij, qëllimi kryesor strategjik në politikat për vreshtarinë dhe industrinë e verës është përqendrimi në prodhimin e varieteteve lokale si Vraneci, Stanushina, Kratoshija, Temjanika, Smederevka dhe rrush cilësor.
Ministri theksoi se klima në Maqedoni ofron kushte ideale për të nxjerrë në pah karakteristikat më të mira të rrushit, ndërsa përmes praktikave prodhuese të përcaktuara me Ligjin për Verën, i cili është i harmonizuar me legjislacionin evropian, përparon tradita shekullore e vreshtarisë dhe industrisë së verës.
“Totali i sipërfaqeve të mbjella me vreshta është 23,000 hektarë, nga të cilat 21% janë në pronësi të prodhuesve individualë të rrushit, ndërsa 79% i përkasin kantinave të verës. Një përqindje e konsiderueshme u përket pikërisht kantinave të vogla familjare me kapacitet deri në 50,000 hektolitra,” shpjegoi ministri Tripunovski.
Ai shtoi, se duke përdorur fondet kombëtare dhe ato evropiane për mbështetje financiare, kantinat e verës po investojnë gjithnjë e më shumë në përmirësimin e pajisjeve, rikonstruksionin e plantacioneve, kantinave të verës, si dhe në investimin në potencialin njerëzor, me një vizion të qartë për prodhimin e verës së paketuar me cilësi të lartë.
Ministri, gjatë fjalimit të tij, theksoi se pikërisht përmes ngjarjeve të tilla hapet mundësia për promovimin e verës së Maqedonisë dhe plasimin e saj në tregjet evropiane.
The post Tripunovski nga Berlini: Punojmë me një vizion të qartë për prodhimin e verës së paketuar me cilësi të lartë appeared first on Telegrafi.