Realizimi i investimeve kapitale në nivel lokal ka një rezultat zhgënjyes prej 3%, që tregon paaftësinë e qeverisë, theksoi deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
Trençevska, në emisionin “Top Tema”, bëri një krahasim me prillin e vitit 2024, kur realizimi i investimeve kapitale ishte 16% në nivel qendror, dhe u kritikua nga opozita e atëhershme OBRM-PDUKM dhe ministri aktual i Financave si i dobët dhe shtoi se tani si qeveri nuk mund të realizojnë as 10%.
Deputetja e LSDM-së theksoi se realizimi i mjeteve të paralajmëruara nga kredia hungareze nëpër komuna është larg 250 milionë eurove të premtuara.
“OBRM-PDUKM kishte deklaruar se nga kredia hungareze do t’u shkojnë komunave çdo vit 250 milionë euro. Në vitin 2024 jepeshin 80 milionë euro, tani do të japin 90 milionë euro. Pra, 2024 dhe 2025 nuk do të arrijnë 250 milionë euro. Këto janë gënjeshtra që OBRM-PDUKM-ja i tha gjatë fushatës dhe pas saj”, theksoi Trençevska, duke shtuar se në vend të projekteve kapitale, ka projekte të vogla nëpër komuna.
Ajo tha se po të shikoni thirrjen e parë të Qeverisë, përveç parqeve, pllakave, shatërvanëve, nuk ka investime më serioze në asnjë komunë.
“Komunat premtuan se përmes projekteve të tilla do të ndërtojnë çerdhe dhe shtëpi për të moshuar, por asnjë projekt nuk ka të bëjë me çerdhe apo shtëpi për të moshuar, as me projekte kundër ndotjes”, theksoi Trençevska./Telegrafi/
The post Trençevska: Realizimi i investimeve kapitale të OBRM-PDUKM-së në nivel lokal është 3 për qind appeared first on Telegrafi.