
Ministri i Punëve të ,Brendshme Pançe Toshkovski pret që për kohë të shkurtë ambasadori në Norvegji dhe ish-ministri i Ekonomisë, Driton Kuqi, i cili ndodhet jashtë vendit dhe është njëri nga 19 të dyshuarit e rinj në hetimin e zgjeruar për zjarrin në diskotekën në Koçan, të jetë në dispozicion për institucionet në vend.
“Sipas asaj që tha personi që ju përmendët, presim që për një kohë të shkurtër të jetë në dispozicion për institucionet në Maqedoni”, tha Toshkovski në pyetjen e gazetarit nëse ka informacione se kur do të kthehet në vend ambasadori në Norvegji, duke marrë parasysh se ai publikisht ka njoftuar se po kthehet në vend me aeroplanin e parë.
Kuqi në rrjetet sociale u shfaq pasi u informua se përfaqësuesit e MPB-së ndodhen në shtëpinë e tij me ftesë për bisedë informative, pas raportimeve se ai dhe ish-ministra tjerë të ekonomisë janë arrestuar ose dyshuar për zjarrin në Koçan.
“Unë besoj në drejtësi për të mirën e përbashkët. Me fluturimin e parë do të jem në Shkup – jo për të arsyetuar veten, por për të konfirmuar se transparenca dhe besimi janë e vetmja rrugë përpara. Unë jam këtu. Me ndërgjegje të pastër, të pastër para vetes, me vullnet të palëkundur – para Zotit dhe para ligjeve të shtetit”, ka shkruar ndër të tjera Kuqi në profilin e tij në Fejsbuk.
Në pyetjen e një gazetari nëse disa nga personat që protestuan për tragjedinë e Koçanit kanë marrë kallëzim penal, Toshkovski pjesërisht konfirmoi dhe theksoi se do të ngritet kallëzim penal ndaj të gjithëve për të cilët ekziston dyshimi se është kryer ndonjë vepër e caktuar penale.
“Disa nga informacionet që u shpërndanë në opinion janë të sakta, disa janë të pasakta. Kudo që ekziston bazë për të dyshuar se është kryer një vepër e caktuar, Ministria e Punëve të Brendshme do të ndërmarrë veprimet e duhura dhe do të fillojë procedurë përkatëse në Prokurorinë kompetente Publike. Aty ku ka prova në nivel të bazës së dyshimit, do të procedojmë procedurat e duhura…Në rastin konkret nuk mund të specifikoj, por në përgjithësi, kudo që ka prova se është kryer një vepër e caktuar nga dikush, pavarësisht nëse janë ulur në një karrige brenda një institucioni të caktuar apo pavarësisht nëse sillen në mënyrë të paligjshme në rrugë, MPB do të veprojë. Sepse njëherë e përgjithmonë në këtë vend duhet të pajtohemi të gjithë nëse do të respektojmë rregullat e lojës apo jo. Nëse duam të kemi shtet, duhet të respektojmë rregullat e lojës”, tha Toshkovski në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp me prokurorin publik, Lupço Kocevski.
Në konferencën për shtyp u konfirmua se gjatë ditës së djeshme Prokuroria Publike Themelore e Koçanit në bashkëpunim me MPB-në kanë zgjeruar hetimet për zjarrin në klubin “Puls” në Koçan, duke përfshirë edhe 19 persona të rinj. Të gjithë, ashtu si ata më herët, për të cilët filloi hetimi, dyshohen për “Krime të rënda kundër sigurisë publike” nga neni 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Prej tyre, për katër të dyshuar është propozuar paraburgimi, për gjashtë të dyshuar është propozuar paraburgim shtëpiak me ndalim komunikimi, ndërsa për tetë të tjerë masa kujdesi. Një i dyshuar në kohën e hapjes së hetimit, ishte jashtë vendit.
The post Tragjedia në Koçan, Toshkovski: MPB-ja do të veprojë kundër secilit, për të cilin ekzistojnë dyshime se ka kryer vepër penale appeared first on Telegrafi.