Komunat humbin 100-120 milionë euro në vit nga mos grumbullimi i tatimeve. Kështu tha ministri i Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski në pyetjen e gazetarëve lidhur me zgjerimin e kompetencave për komunat, gjegjësisht me procesin e decentralizimit.
Ministri Perinski iu bëri thirrje krerëve të komunave që sa më mirë t’i mbledhin të ardhurat e tyre, që janë tatimi i pronës dhe taksat komunale.
“Ne me masë intervente do të kapim rreth 274 projekte me 100 milionë euro, e paramendoni nëse këto do mblidheshin si duhet, do të kishte gjithnjë cikle e cikle të reja të investimeve”, tha ministri.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo nuk vlen për komunën që ai udhëheq, pasi sipas Kasamit, Tetova është lidere në inkasimin e tatimeve lokale.
“Kjo nuk vlen për Komunën e Tetovës. Komuna e Tetovës është lidere në inkasimin e tatimeve lokale, sepse ne nuk kemi pasur përkrahjen e qeverisë dhe deri më tani projektet janë realizuar pjesën më të madhe, nga taksat dhe tatimet e qytetarëve. Muajin që kaloi, Komuna e Tetovës realizoi rebalancin e buxhetit si rezultat i arritjes së kushtit ligjor për sa i përket inkasimit të të hyrave vetanake. Kështu që, ne deri në fund të vitit, do të arrijmë qind për qind të inkasojmë dhe të realizojmë buxhetin e vitit 2024. Brenda këtij muaji planifikojmë të bëjmë edhe një rebalanc, ku do të përfshihen edhe mjete shtesë, të cilat ne kemi ti inkasojmë”, tha Kasami.
Në ndërkohë, nga Sektori i Financave në Tetovë thonë se inkasimi i tatimeve në pronë ka kaluar pritshmëritë e vet komunës. Nga ky Sektor tregojnë se inkasimi ka kaluar masën prej 100 për qind, e kjo për shkak të borxheve të akumuluara nga vitet paraprake.
Sipas Nuredin Dearit, udhëheqës i Sektorit të Financave në Tetovë, planifikimi që bëhet për një vit tashmë e ka kaluar planifikimin pasi janë shlyer borxhet e mëhershme.
“Vitet paraprake nuk janë grumbulluar tatimet në pronë dhe tatimet tjera. Për vitin 2024, i cili vijon edhe më tej, për momentin inkasimi është 109 për qind dhe me këtë trend – inkasimet pritet që deri në fund të arrijnë deri në 120 për qind. Pra, investime të cilët vijojnë dhe që janë bërë vite me radhë janë si rezultat i pagesës së tatimeve që nuk ka qenë praktikë në të kaluarën”, tha Deari.
Ai më tej theksoi se realizimi i projekteve infrastrukturore dhe zvogëlimi i borxhit është si rezultat i inkasimit të tatimeve që i paguajnë qytetarët. Brenda këtij viti, Komuna e Tetovës nga tatimet ka inkasuar rreth 3 milionë euro./Koha.mk/
The post Tetova, e para në inkasimin e tatimeve appeared first on Telegrafi.