Të mërkurën në Filarmoninë e Maqedonisë do të shpallen zyrtarisht të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, që u realizua në shtator.
Më në fund pas 20 vitesh Maqedonia e Veriut do të ketë pasqyrën e plotë të numrit bashkësive etnike në vend, ndërsa këtë fundjavë kanë dalë informacione jozyrtare pas deklaratës së drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski se pas shpalljes së rezultateve do të të shpallet “armik i shtetit”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mediat këtë fundjavë publikuan shifra jozyrtare të regjistrimit dhe cituan burime nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas këtyre të dhënave, në vend jetojnë 1 milion e 800 mijë qytetarë. Së bashku me diasporën jemi 2.1 milionë, që do të thotë se rreth 300 mijë jetojnë jashtë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë numër sigurimesh shoqërore është 2.5 milionë.
Sa i përket bashkësive etnike që jetojnë në vend, nga 1,8 milionë banorë, maqedonas që jetojnë në vend janë rreth 63 deri në 65%, rreth 24,7 shqiptarë, dhe 10-12% komunitete të tjera që jetojnë në vend.
Përqindjet ndryshojnë nëse ata që jetojnë në diasporë përfshihen në totalin e popullsisë, siç parashikohet me ligj.
Së bashku me diasporën, sipas burimeve jozyrtare, maqedonasit do të dilnin nga 60 në 62%, shqiptarët 29,5%, dhe pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike nga 8 në 10%.
Drejtori i ESSH-së, Simovski për “Fokus” thotë se askund nuk janë shpërndarë të dhëna nga institucioni, por është i rezervuar nëse ato përputhen me të vërtetat.
“A përputhen të dhënat e publikuara me ato reale, do ta themi të mërkurën kur do t’i paraqesim të dhënat për publikun. Nuk kemi asnjë presion, ndërsa sa i përket shpërndarjes Së të dhënave në publik, është thjesht e pamundur të parandalohet tek ne”, tha Simovski për “Fokus”./Telegrafi/
The post Të mërkurën shpallen rezultatet e regjistrimit në Maqedoni, Simovski nuk komenton numrat jozyrtar appeared first on Telegrafi.