Taravari: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë në vitin 2024

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Vizita e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, ku vizitoi vetëm partitë opozitare shqiptare dhe jo partitë e mëdha shqiptare që janë në pushtet është konsideruar edhe si “gabim historik” edhe si “skandal diplomatik”, por Arben Taravari, udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët, partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë Veriore, thotë se është herët të bisedohet për motivet dhe efektin e shkaktuar nga kjo vizitë.

Në një intervistë për Albanian Post, kryetari aktual i Gostivarit dhe udhëheqësi i partisë që aktualisht si e vetme ka tetë deputetë e bashkë me Alternativën 12, deklaron se “historia nuk shkruhet kurrë kaq herët” dhe se “duhet patjetër faktori kohë”, porse “nuk dua të besoj dhe as nuk e besoj që Kurti ka pasur në plan ndonjë skenar anti-qeveritar, apo anti-shqiptar”.

“Të flasësh për të (vizitën e Kurtit) duhet patjetër faktori kohë. Gjithsesi besoj se nuk duhet dramatizuar dhe duhet kuptuar që në shumë raste euforitë njerëzore dalin jashtë parashikimeve protokollare. Ka disa raste kur emocioni zotëron arsyen, sigurisht është një rast nga ku duhen nxjerrë leksione, por nuk mendoj se ka ndonjë bazë racionale kjo punë”, tha Taravari.

Ai refuzon të vazhdojë tutje bisedën për vizitën, sepse do që të tregohet i kujdesshëm për shkak të kontekstit aktual.

Advertisement

“Nuk mendoj se duhet të zgjatet me komente në këtë kontekst, pasi është një situatë delikate e cila mund të shkaktojë tensione fare të panevojshme”, deklaron për Albanian Post.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë në vitin 2024. Kjo do të shënojë edhe herën e parë pas shumë vitesh që atje qeveria përfundon një mandat të plotë.

Turbulencat politike gjithmonë kanë shkaktuar rënie të qeverisë para mandatit.

Fakti se tani gati 50 për qind e kabinetit qeveritar përbëhet nga shqiptarët, për Taravarin është shënjues që tregon rëndësinë e prezencës shqiptare në stabilitetin qeveritar dhe politik në Maqedoninë e Veriut.

Advertisement

Aleanca për Shqiptarët, bashkë me Alternativën ka 12 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka 15 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare ka një deputetë.

Të gjithë bashkë përbëjnë 28 deputetë në parlamentin prej 120 ulësesh të Maqedonisë së Veriut.

Ky është numër i madh, por Taravari në zgjedhjet e ardhshme pret që të kalohet shifra 30.

A do të shkohet në një koalicion të përbashkët parazgjedhor BDI-Aleanca-PDSH pohon se është akoma herët të flitet, porse do shënojnë numrin më të madh të deputetëve, për këtë s’ka dyshim.

Advertisement

“Dhe pritshmëria ime nuk është e një tifozi”, thotë.

“Në bazë të situatës në terren, në bazë të të gjithë zhvillimeve të deritanishme jam i sigurt se do të kemi rezultate spektakolare në zgjedhjet e ardhshme. Votuesi shqiptar nga një votues emocional, tashmë është kthyer në një votues inteligjent e pragmatik, dhe do të dijë të forcojë sa më shumë prezencën e tij në parlament”.

Vizita e Kurtit në Maqedoni duke takuar opozitën shqiptare dhe jo partitë tjera, i ka shkuar në favor partisë nacionaliste maqedonase OBRM-PDUKM e cila është e interesuar ta përçajë votën shqiptare dhe kështu nëse i fiton zgjedhjet ta marrë në koalicion një parti të vogël shqiptare dhe të parëndësishme, duke e de-faktorizuar faktorin shqiptar.

OBRM-PDUKM është kundër ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, që shkon në kundërshtim me interesat shqiptare, sepse shqiptarëve atje u konvenon shumë integrimi euro-atlantik, e ai kalon përmes këtyre ndryshimeve.

Advertisement

Por, pikërisht se është kjo situatë delikate, Taravari thotë se më e udhës është që për momentin mos të diskutohet shumë efekti i vizitës së kryeministrit të Kosovës atje.

The post Taravari: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë në vitin 2024 appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy