
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot në Gostivar ka deklaruar se nuk ka informacion për mungesë të ilaçeve në institucionet mjekësore dhe as në klinikën onkologjike. Ministri tha nuk është raportuar asnjë problem.
“Për momentin nuk kam informacion që ka mungesë të ndonjë ilaçi onkologjik, në përgjithësi i kemi të gjitha ilaçet. Insulina ka munguar për dy ditë, por ne kemi nënshkruar një aneks me kompaninë furnizuese dhe kjo është zgjidhur. Aktualisht, me sa di unë, nuk ka pasur ndonjë problem dhe me sa jam informuar në brifingun e mëngjesit me ekipin që kemi pasur në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk ka pasur ndonjë problem të tillë”, tha ministri Taravari, pas një vizite pune në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” në Gostivar.
I pyetur nga gazetarët për procedurën e pranimit të specializantëve të rinj, ai tha se procedura është zvarritur pak për shkak të situatës së krijuar me ngjarjen tragjike në Koçan.
“Disa spitale po reklamojnë edhe për specializim. Në Gostivar janë 12. Javën e ardhshme do të testojmë rreth 250 spacializant. Qindra vende pune janë shpallur në sektorin e kujdesit shëndetësor për infermierë, ndihmësmjekë dhe specializant. U vonuam pak, duhej të ishte më herët, por rasti në Koçan e zgjati pak dhe shpresoj se do të përfundojë deri në fund të muajit”, tha Taravari./Telegrafi/
The post Taravari: Nuk jam informuar për mungesën e ilaçeve në Onkologji appeared first on Telegrafi.