
Me prerje simbolike të shiritit, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në Spitalin e përgjithshëm të Gostivarit e lëshoi për përdorim repartin e rikonstruktuar për mjekësi interne. Ai gjatë vizitës promovoi edhe disa investime në institucionin më të madh shëndetësor në komunën e Gostivarit, ku nga fillimi i vitit janë investuar 12 milionë denarë. Qëllimi, siç tha ministri Taravari, është që pacientët të kenë kushte dinjitoze dhe shërbime më të mira shëndetësore.
“Një pjesë e repartit të brendshëm është rinovuar tërësisht dhe tani kushtet për pacientët janë dinjitoze. Me këtë Spitali i Përgjithshëm bëhet lider në investimet në shëndetësinë publike. Ky është praktikisht promovimi i katërt i investimeve në spital. Kështu edhe do të vazhdojmë”, tha Taravari.
Ai theksoi se në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murad” po punohet për rinovimin e repartit të oftalmologjisë dhe paralajmëroi një promovim së shpejti, ndërsa këto ditë është vënë në përdorim edhe një sallë operacioni, e cila është e pajisur plotësisht me të gjitha elementet. Me këtë, siç tha ministri Taravari, spitali do të ketë tri salla kirurgjikale dhe, siç theksoi, do të nënkuptojë pritje më të shkurtra për pacientët.
Rikonstruksioni i pjesës së vjetër të repartit intern ishte i domosdoshëm, pasi sipas Besnik Zeqirit, drejtor i spitalit, në atë pjesë nuk ishte intervenuar për gati gjysmë shekulli.
“Kjo ishte e nevojshme, duke qenë se mjekësia interne është një nga repartet më të ngarkuara në spital. Përveç sallës së re të operacionit, në tre muajt e fundit kemi ndërruar të gjitha dyert e Qendrës Emergjente, hyrjen kryesore të spitalit, repartin e oftalmologjisë dhe gjinekologjisë”, tha drejtori Zeqiri.
Ai vuri në dukje se me konkurset e reja pritet të rrisin numrin e stafit mjekësor, gjë që do të kompensojë mungesën e mjekëve specializantë.
“Do të pranojmë 12 specializantë nga pothuajse të gjitha fushat. Aty ku na mungojnë, si kardiologu, dy gjinekologë, neurolog, astrolog, dy pediatër dhe të gjithë ata që janë drejt fundit të specializimeve, do t’i mirëpresim. Ne kemi rreth tridhjetë brenda në spital. Dhjetë që po i afrohen përfundimit të specializimeve do të fillojnë punën deri në fund të vitit. Kjo do të forcojë dukshëm ofrimin tonë të shërbimeve shëndetësore”, tha drejtori i spitalit të përgjithshëm, Besnik Zeqiri.
Spitali i Përgjithshëm “Ferid Murad” është institucioni më i madh shëndetësor në komunën e Gostivarit me afro pesëqind të punësuar dhe ofron shërbime për pacientët që vijnë nga komunat përreth, si Vrapçishte, Mavrovë- Rostushe, Dibër dhe Kërçovë.
The post Taravari: Në Spitalin e Gostivarit këtë vit janë investuar 12 milionë denarë, vihet në përdorim Reparti i rikonstruktuar për mjekësi interne appeared first on Telegrafi.