Gostivari duhet të jetë model në Maqedoninë e Veriut për marrëdhëniet ndëretnike, është mendimi i kryetarit Arben Taravari, i cili u shpreh në debatin e organizuar nga CIVIL – Qendra e Lirisë “Dialogu civil për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve” në Gostivar në sallën e Këshilli i Komunës së Gostivarit.
Taravari, në rishikimin e tij për marrëdhëniet ndëretnike, theksoi se qyteti i Gostivarit është shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës ndëretnike.
“Në mandatin e parë kemi vendosur flamurin e Turqisë përballë komunës, ndërsa në mandatin e dytë kemi vendosur edhe flamurin rom dhe jemi e vetmja komunë në botë ku valon flamuri rom. Nëse shikoni para komunës, aty janë të gjithë flamujt e bashkësive etnike”, tha Taravari.
Sipas tij, vendi duhet të ndjek shembullin e Gostivarit sa i përket bashkëjetesës në një shoqëri multietnike.
“E them shpesh dhe e them me krenari se Gostivari duhet të jetë model për Maqedoninë e Veriut, qytet në të cilin bashkësitë etnike bashkëpunojnë dhe bashkëjetojnë në Gostivar. Bashkëjetesa është shembull i ndritshëm i një shoqërie multietnike. Jeta kulturore zhvillohet bashkërisht, kudo dhe mund të thuhet se e dallojmë nga komunat tjera në Maqedoni”, theksoi kryetari Arben Taravari./Telegrafi/
The post Taravari: Gostivari duhet të jetë model për marrëdhëniet ndëretnike appeared first on Telegrafi.