Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut Oliver Spasovski, sot në konferencë për shtyp ka folur në lidhje me vendimin e BE-së për nisjen e negociatave për anëtarësim.
Ai tha se tashmë është përcaktuar korniza negociuese për anëtarësim të vendit në BE dhe se e njëjta pritet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së.
“Me rëndësi të veçantë është se pikërisht dje në ditën e parë të kryesimit të BE-së nga Gjermania u përcaktua korniza e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut. Jam i bindur se me ndihmën e institucioneve të BE-së dhe nën kryesimin e kancelares gjermane Angela Merkel kornizën e bisedimeve do ta miratojnë të gjitha vendet anëtare dhe se do të nisim edhe formalisht bisedimet për anëtarësim në konferencën e parë mes qeverive”, tha mes tjerash Spasovski.
Komisioni Evropian, njoftoi të mërkurën se i ka paraqitur Këshillit, projektin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për këto bisedime.
Projekti është një përgjigje e kërkesës së vendeve anëtare e bërë në mars të këtij viti, kur Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mori vendimin për hapjen e bisedimeve me të dy vendet./Telegrafi/
The post Spasovski: Nën kryesimin e Angela Merkel, do t’i nisim negociatat me BE-në appeared first on Telegrafi.