
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ka deklaruar se nga mbledhja e sotme e koalicionit VLEN do të përcaktohet se si do të dalin në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ai shprehet i bindur se VLEN do të jetë e bashkuar dhe do të tregojë në zgjedhjet lokale atë që tregoi në ato parlamentare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Vazhdojnë komunikimet e rregullta brenda koalicionit VLEN dhe sot kemi takimin e radhës ku do të vazhdojmë të diskutojmë për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Publiku tashmë është i vetëdijshëm se ka disa opsione, por gjithsesi shpresoj që sot të jetë dita e fundit, ose më saktë takimi i fundit, ku do të përcaktohen këto dilema në kuadër të debatit për zgjedhjet lokale”.
“Jam i bindur se VLEN do të ecë përpara në zgjedhjet lokale dhe atë që treguam në zgjedhjet parlamentare, do ta tregojmë në zgjedhjet lokale dhe më në fund do të arrijmë t’i fitojmë komunat dhe t’i udhëheqim me sukses ashtu siç jemi të bindur që po e drejtojmë politikën në kuadër të koalicionit qeveritar por edhe brenda komunave ku koalicioni ka udhëhequr deri tani”, tha Kasami.
Ndryshe, liderët e VLEN-it pritet që të mblidhen përsëri sonte për të diskutuar për fatin e koalicionit të tyre, gjegjësisht për opsionet me ose pa Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit.
Ky takim vjen dy ditë para se skadon afati i dhënë nga liderët e tjerë për Taravarin, të cilët ditë më parë, thanë se çështja duhet të sqarohet brenda javës dhe Taravari duhet të ndajë mendjen, do të vazhdojë bashkëpunimin me VLEN-in ose me BDI-në.
Krisja mes partnerëve filloi që kur në media u bë e ditur se Taravari ka kërkuar që në zgjedhjet lokale të garohet me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë dhe 40% të kandidatëve për kryetarë.
Liderët e tjerë e kundërshtuan këtë opsion dhe përshpejtuan nismën për shkrirjen në një parti të vetme. Taravari nga ana tjetër kritikoi funksionimin e VLEN-it dhe joefikasitetin e marrjen së vendimeve brenda koalicionit./Telegrafi/
The post Sot takohen liderët e VLEN-it, Kasami: Jam i bindur që në zgjedhje do të shkojmë të bashkuar appeared first on Telegrafi.