Sofja nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Shkupit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Bullgaria nuk ka hequr dorë nga pozicioni i saj që ta bllokojë procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që zyrtarët e lartë në Bruksel sërish kanë ripërsëritur qëndrimin se çështjet bilaterale mes shteteve, duhet të zgjidhen në formë bilaterale.

“Komiteti i Qeverisë federale mendon se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe më në fund mund të fillojnë me negociatat, dhe duhet të jetë e qartë se BE-ja si tërësi, e mbështetur nga 27 vende anëtare, tani dërgon sinjal për zbatimin e premtimeve të cilat shtetet i kanë dhënë”, tha në Bruksel, ministri gjerman për Evropën, Michael Roth.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, ndonëse me tone të përmbajtura, janë shprehur që presin që Bullgaria të reflektojë dhe të mos e bllokojë Shkupin zyrtar në proceset euro-integruese.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të martën më 22 qershor tha se për vendin e tij nuk ka alternativë tjetër përpos perspektivës euro-integruese.

Advertisement

Shefi i diplomacisë maqedonase është shprehur i prerë se tani “është koha që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat” me BE-në për anëtarësim, sepse siç ka thënë ai, shteti i ka plotësuar kushtet për një gjë të tillë, duke shtuar se mesazhet që vijnë nga Brukseli tregojnë se Bullgaria nuk është e gatshme që të bëjë lëshime sa i përket pozicionit të saj për bllokuar procesin e nisjes së bisedimeve të Shkupit me Brukselin, pavarësisht mendimit pozitiv të 26 anëtareve të tjera të BE-së.

“Çka më tutje? Ne nuk kemi alternativë tjetër. Ne nuk kemi alternativë as për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore me Bullgarinë e as për perspektivën tonë evropiane. Nuk na mbetet asgjë tjetër, përpos që të bëjmë përpjekje dhe t’i bindim partnerët tanë evropianë se ky nuk është vetëm interesi i Maqedonisë së Veriut, por është interes i Bashkimit Evropian. Evropa pa Ballkanin Perëndimor nuk është e kompletuar. Na vjen mirë që 26 shtetet tjera anëtare kanë konsensus në këtë drejtim. Po punojmë intensivisht edhe me Bullgarinë që të arrijmë deri te zgjidhja”, tha Osmani.

Ai shtoi se mbeten edhe pak ditë deri te mbajtja e takimit të Këshillit Evropian, që është caktuar të mbahet më 24 dhe 25 qershor, ku dhe presin që Bullgaria të reflektojë dhe të mos e bllokojë Maqedoninë e Veriut.

“Unë shpresoj që Bullgaria do t’i shfrytëzojë këto ditë të mbetura për të reflektuar mbi këtë qasje të sinqertë që kemi ne, për të adresuar aspektet të cilat na dallojnë dhe na ndajnë”, tha Osmani gjatë një konference të përbashkët për media me homologen e tij suedeze, Anna Linde.

Advertisement

Ndërkaq, kryediplomatja suedeze, Anna Linde tha se është e zhgënjyer me faktin që Shkupi ende nuk ka nisur negociatat e anëtarësimit në BE, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga Brukseli.

“Si përfaqësuese e Qeverisë suedeze unë besoj fuqishëm se negociatat me Maqedoninë e Veriut do të duhej të kishin filluar dhe BE-ja veçse ka miratuar një vendim, në mënyrë unanime më 22 mars” për këtë gjë, tha ministrja suedeze.

Ndërkaq, partia maqedonase në opozitë, OBRM-PDUKM e ka cilësuar si “mashtruese” qasjen e Qeverisë maqedonase se shtetit do t’i caktohet datë për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, që tashmë drejton Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme, tha se Qeveria maqedonase ka manipuluar me opinionin kur ka thënë se do të marrë datën për nisjen e bisedimeve. Ai, në këtë drejtim, është shprehur kritikë edhe ndaj Brukselit zyrtar.

Advertisement

“Nëse Bashkimi Evropian vazhdon që të punojë dhe vlerësojë në këtë mënyrë, ajo do të humbë besueshmërinë në rajon për shkak se që nga viti 2009 kemi rekomandimin për negociata, ndërkohë që BE-ja nuk ka arritur që të sigurojë konsensus që negociatat të fillojnë”, tha Milloshovski nga OBRM-PDUKM-ja.

Në nëntorin e vitit 2020, Bullgaria bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”./REL/

The post Sofja nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Shkupit appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy