Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit të saj strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke theksuar se nuk do të ketë devijime nga ky kurs në politikën e jashtme të vendit.
Snopçe komentoi mbi zhvillimet e fundit në skenën ndërkombëtare, duke përmendur ndryshimet politike në SHBA dhe Gjermani, ku kanë fituar forcat e djathta. Snopçe theksoi se pavarësisht këtyre ndryshimeve, Maqedonia e Veriut mbetet e orientuar qartë drejt aleancave perëndimore.
“Maqedonia është rreshtuar dhe e vendosur për një partneritet strategjik jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në dhe NATO-n. Këto janë tre partnerët tanë kryesorë, dhe diplomacia jonë nuk do të devijojë nga ky partneritet dhe këto interesa strategjike”, u shpreh Snopçe.
Ai vuri në dukje se pas ndryshimeve në administratën amerikane është vërejtur një ndryshim në retorikën ndërkombëtare, ku tashmë fokusi është vendosur tek paqja dhe stabiliteti global.
“Është fakt i pamohueshëm që tani gjithkush flet për paqe, qoftë në lidhje me konfliktin në Ukrainë, në Gaza apo në rajone të tjera. Politika e presidentit Tramp, në mënyrë indirekte, çon drejt një kompaktësie më të madhe mes shteteve evropiane,” shtoi ai.
Snopçe theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ndjekë kursin e saj euroatlantik, duke e konsideruar këtë si një vendim strategjik dhe të panegociueshëm për të ardhmen e vendit.
The post Snopçe: Maqedonia e Veriut e vendosur në partneritetin strategjik me SHBA-të, BE-në dhe NATO-n appeared first on Telegrafi.