
Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, ka deklaruar se sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga problemet më të mëdha të shtetit, duke theksuar mungesën e besimit të qytetarëve dhe nivelin e lartë të korrupsionit.
Në një intervistë për Ora News, Snopçe tha se vetëm 2% e qytetarëve i besojnë sistemit të drejtësisë, sipas të dhënave nga institucionet ndërkombëtare dhe vendore që matin këto parametra.
Ai theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë sfida madhore për vendin dhe se lufta kundër tyre duhet të jetë një prioritet absolut.
“Nuk ka alternativë tjetër përveçse të angazhohemi seriozisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është i pranishëm në nivelet më të larta të shtetit. Por kjo betejë nuk mund të fitohet pa mbështetjen e një gjyqësori të pavarur”, u shpreh Snopçe.
Ai kujtoi skandalet e kaluara që dëshmojnë ndikimin politik mbi drejtësinë, duke përmendur edhe të ashtuquajturat “bombat e Zaevit”, të cilat ekspozuan mënyrën se si janë zgjedhur prokurorët dhe gjykatësit ndër vite.
“Në shtatë vitet e fundit kemi parë sesi në sistem janë emëruar individë të lidhur me politikën – ish-ministra, ish-deputetë, madje edhe një ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili tani është pjesë e Frontit Europian. Kjo tregon qartë sesi ka funksionuar pushteti gjyqësor”, shtoi ai.
Snopçe kërkoi reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas tij, pa një gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptuar, vendi nuk mund të përparojë në rrugën e integrimit europian.
The post Snopçe: Duhet luftuar krimi dhe korrupsioni, mirëpo kjo nuk arrihet pa mbështetjen e një gjyqësori të pavarur appeared first on Telegrafi.