Për dallim nga kryetari i Strugës i cili pohon se në Strugë nuk ka ndërtime të paligjshme, në raportin më të ri të Entit Shtetëror të Statistikës shkruan se në këtë komunë vitin e kaluar janë regjistruar 48 ndërtime të reja të paligjshme. Sektori joqeveritar konsideron se Merko nuk ndërmerr asgjë ndonëse edhe për të vlejnë obligimet dhe rekomandimet nga misioni monitorues i UNESKO-s.
“Kërkojmë që Qeveria e re, menjëherë pas formimit ta angazhojë Ministrinë e Punëve të Brendshme të ndërmarrë masa kundër kryetarit të Strugës dhe më në fund ta sanksionojë shkeljen e rëndë të tij mbi ligjet dhe punën e vazhdueshme në dëm të interesit publik”, deklarojnë nga “OHËR SOS”.
Askush nuk është kundër asaj që të zhvillohet turizmi, por plazhet, duhet doemos të kthehen në kufijtë normal, thonë nga shoqatat civile në Strugë.
Sipas meje, lëshimi është bërë kur janë bërë ato marrëveshje për koncesion, gjegjësisht në moszbatimin e marrëveshjeve. Në kuadër të atyre koncesioneve, janë dhënë leje për ndërtim të objekteve të përkohshme, që me kalimin e kohës jo vetëm në Strugë por edhe në Ohër, u shndërruan në objekte me ndërtim të fortë. Unë fajin e shikoj në vetëqeverisjen lokale Ohër, Strugë dhe në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, të cilët i nënshkruajnë këto marrëveshje për koncesion, meqë ata nuk kanë kryer fare kontroll të zbatimit të marrëveshjeve.”-tha Marjan Gllavinçeski, aktivist qytetar në Strugë .
Sipas të dhënave të Statistikës, në Ohër në vitin 2019 janë regjistruar njëmbëdhjetë ndërtime të paligjshme më shumë sesa në Strugë, gjegjësisht gjithsej 59. Aksioni për rrënimin e tyre është ndërprerë për shkak të sezonit turistik.
Prej 15 gushtit vazhdojmë t’i mënjanojmë plazhet që janë në fushën e veprimit të Planit Gjeneral Urbanistik. Cilat janë ato plazhe, më atraktivet? Po. Gjithçka që është ndërtuar në mënyrë të paligjshme, herët a vonë, do të rrënohet”-pohoi Konstantin Gjeorgjieski, kryetar i Ohrit.
Kryetari i Strugës mbeti i pakapshëm për koment, nëse dhe kur do të fillojë me aktivitete për zgjidhjen e problemit me ndërtimet e paligjshme./Alsat/
The post S’ka rrënime të ndërtimeve ilegale në Strugë appeared first on Telegrafi.