
Gjithsej 229 milionë denarë janë ne dispozicion për projekte nga fusha e mjedisit jetësor për vitin 2025, kumtoi sot në konferencë për shtyp zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti me rastin e shpalljes së konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi Investimeve në Mjedis për vitin 2025.
Ai theksoi se programi ka për qëllim inkurajimin dhe financimin e projekteve dhe aktiviteteve që kontribuojnë në mbrojtjen, përmirësimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit – si një nga faktorët kyç për shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Njëkohësisht, Mexhiti apeloi deri tek të gjitha komunat, shoqatat e komunave, organizatat civile dhe institucionet që të përfshihen aktivisht në këtë proces.
“Shuma e përgjithshme që po shpërndajmë këtë vit është 229 milionë denarë: nga të cilat 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe ndërtimin e sistemeve të kanalizimit dhe sistemeve për kullimin dhe pastrimin e ujërave të zeza, 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe ndërtimin dhe përmirësimin e ujësjellësve, 10 milionë denarë për nxitjen e projekteve arsimore, kërkimore dhe zhvillimore, dhe 19 milionë denarë për ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimin lidhur me mbrojtjen e mjedisit jetësor”, tha ministri Mexhiti.
Procesi i përzgjedhjes dhe ndarjes së mjeteve, sqaroi ai, do të kryhet në mënyrë transparente dhe objektive, me kritere të përcaktuara qartë. Aplikimet do të vlerësohen bazuar në parametra të shumtë, duke përfshirë strukturën organizative, efektivitetin e buxhetit, ndikimin e projektit dhe përafrimin me strategjitë kombëtare. Afati i aplikimit është tre javë, kurse formularët e aplikimit janë të disponueshëm në ueb faqen e Ministrisë dhe janë të përshtatura sipas llojit të aplikantit – në mënyrë që të lehtësojnë dhe thjeshtojnë procesin.
Një inkurajim i veçantë iu drejtuar starapeve dhe kompanive të teknologjisë për të aplikuar me zgjidhje inovative për të përmirësuar mjedisin jetësor.
“Ky konkurs është një mundësi reale për të gjithë ata që kanë vizion, ide dhe kapacitet për të kontribuar për një mjedis më të pastër dhe më të qëndrueshëm. U bëj apel të gjithë aplikantëve potencial – ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, kërkoi ministri Mexhiti.
Rezultatet e Konkursit do të shpallen publikisht pas përfundimit të procesit të vlerësimit, u theksua në konferencën për shtyp.
The post Shpallet konkursi për ndarjen e 229 milionë denarëve për projekte nga fusha e mjedisit jetësor appeared first on Telegrafi.