Kryetarja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskoska ankohet për presione.
Reagimi i saj vjen një ditë pasi drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi paralajmëroi kallëzim penal ndaj saj dhe dy prokuroreve që e kanë kryer bastisjen në zyrën e tij, për çka krye- prokurori Lubomir Joveski konstatoi parregullsi.
Ruskoska thotë se nuk do të lejojë që një person, procedurën e të cilit është duke e kontrolluar, t’ia njollos fytyrën dhe nderin.
“Në Maqedoni nuk guxon të sundojë dëshira e disa zyrtarëve qeveritarë aktual apo të dikurshëm, që prokurorët t’i mbyllin sytë para çdo krimi, qoftë ai edhe në eshalonët më të lartë të pushtetit”, tha Villma Ruskoska- kryetare e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar.
Ruskoska madje bëri thirrje që të përfshihen edhe ambasadat e SHBA-së dhe BE-së si dhe krye-prokurorja evropiane, Llaura Kovesi. Por, ajo nuk mori mbështetje nga kolegët e Shkupit.
Një reagim i ashpër ka ardhur nga Shoqata e Prokurorëve Publikë. Prej atje thonë se Ruskoska e ka njollosur imazhin e prokurorëve publik dhe e ka shkelur Kodin e tyre etik.
“Si prokurorë publik, nuk shohim arsye për thirrje të këtillë dramatike në mesnatë deri tek institucionet dhe diplomacitë ndërkombëtare, sidomos që as prokurorja Ruskoska, as prokurorët e tjerë nga PTHP në asnjë moment nuk janë penguar që në mënyrë të pavarur të zhvillojnë hetime për lëndë në kompetencë të tyre”, thanë nga Shoqata e prokurorëve publik.
Në shkresën e saj, Ruskovska po ashtu ka bërë të ditur se do të ndajë disa nga gjetjet që Prokuroria e saj i ka ndaj Muaremit, kështu që, siç shton ajo, opinioni do të gjykojë se kush është kriminel dhe kush lufton kundër krimit.
Nga ana tjetër, pas një njoftimi të tillë të prokurorit, kreu i policisë financiare shkoi një hap më tej.
“I bëj thirrje Villma Ruskovskës, nëse ka informacione për krim të kryer nga ana ime, ta dëshmojë atë dhe opinionit publik t’i plasojë aktakuzë kundër meje, e jo informacione boshe dhe të pabaza, duke e diskredituar plotësisht pozitën që kryen. Mosndjekja e krimit për shkak të presionit është vepër penale, prokurore!”, tha Arafat Muaremi – drejtor i Drejtorisë së Policisë Financiare.
Ndryshe, në brifingun e djeshëm, Muaremi ka akuzuar Ruskovskën se nuk e njeh fare Ligjin për Prokurorinë Publike.
Pas marrjes së raportit nga Prokuroria e Joveskit, i cili ka konstatuar parregullsi në bastisjen e Muaremit, Ruskovska tha se Joveski nuk ka të drejtë të përzihet në raste konkrete.
Muaremi, nga ana tjetër, ia ka rikujtuar asaj se nën kompetencat e Prokurorisë Republikane është të mbikëqyrë punën ligjore të prokurorisë publike, ndërsa mendim të ngjashëm ka dhënë edhe Shoqata e Prokurorëve Publikë.
“Prokuroria publike bazohet në parimet e hierarkisë dhe të vartësisë, që do të thotë se çdo prokuror publik për punën e tij përgjigjet para prokurorisë më të lartë. Asnjë prokuror publik nuk duhet ta konsiderojë veten të gjithëfuqishëm dhe të refuzojë kontrollin mbi veprimet”, thanë nga Shoqata./Alsat/
The post Shoqata e Prokurorëve Publikë: Ruskovska e ka njollosur imazhin e prokurorëve publik appeared first on Telegrafi.