Shoqata e prokurorëve publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër kërcënimet e fundit ndaj prokurorit publik të shtetit Ljubomir Joveski.
“Kërcënimet e drejtuara ndaj tij, si më i larti në hierarkinë e prokurorisë publike, janë kërcënim për të gjithë institucionin dhe të gjithë bartësit e prokurorisë publike. Kërcënime të tilla që vijnë nga kudo dhe nga kushdo janë, për ta thënë më butë, një akt jo civilizimi. Ato janë në kundërshtim me të gjitha aktet ndërkombëtare dhe standardet e vendosura për funksionimin e Prokurorisë Publike në çdo shtet të së drejtës”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Prokurorëve Publikë.
Andaj theksojnë se Prokuroria Publike si institucion ka integritet dhe forcë që përmes bartësve të prokurorisë publike të luftojë me mjete ligjore të gjitha format e krimit. Në kryerjen e funksionit të ndjekjes penale të kryesve të veprave penale, askush nuk mund ta pengojë Prokurorinë Publike, aq më pak ta ndikojë në ushtrimin e kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje njoftoi se prokurori publik Ljubomir Joveski ka marrë kërcënim për jetën për shkak të një rasti konkret penal në të cilin procedura ka përfunduar në dhjetor të vitit 2021. Kërcënimi i dërguar me postë rekomande dhe i shkruar në gjuhën maqedonase dhe angleze, siç thonë nga Prokuroria, ishte nga “organizata terroriste që lufton dhe vret për padrejtësi”.
Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate thekson se kërcënimet e tilla janë të kota dhe me këtë rast thekson se kërcënimet, edhe nëse janë të përjetshme, nuk do ta lëkundin në zbatimin e ligjeve dhe në sjelljen profesionale dhe të përgjegjshme të Prokurorisë Publike.
Prokuroria bën të ditur se ngarkesa do t’i kalojë Ministrisë së Brendshme për shqyrtimin e përmbajtjes së pretendimeve dhe gjetjen e personit që e ka dërguar.
The post Shoqata e prokurorëve publikë: Kërcënimet ndaj Joveskit janë kërcënim për të gjithë institucionin appeared first on Telegrafi.