Ajri i ndotur ka përfshirë mbrëmë kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa ndotja ka vazhduar edhe sot në mëngjes.
Sipas të dhënave në faqen e IQAir, nga ora 6 e mëngjesit të sotëm, Shkupi është në vendin e 9-të në botë për nga ndotja e ajrit. Indeksi i matur i ndotjes është 156, që sjell paralajmërim se ajri është i dëmshëm.
Rekomandimi që u është dhënë qytetarëve është që të mbajnë maskë mbrojtëse, të mos bëjnë sport jashtë dhe të mos hapin dritare në shtëpi. Ndotja më e madhe është me grimcat e dëmshme PM2.5, me koncentrim 65.6 mikrogramë për metër kub ajër. Në vend të parë sipas ndotjes është Delhi i Indisë me indeks 484.
Shkupi edhe mbrëmë ka qenë shumë i ndotur. Rreth orës 22:00, indeksi i ndotjes ishte 174 dhe ajri u vlerësua si i dëmshëm. Në kryeqytet janë matur 100 mikrogramë për metër kub grimca PM 2.5, e cila sipas I-Q-Air është 20 herë më e madhe se përqendrimi i kësaj grimce sesa vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ndryshe, Këshilli i Bashkisë së Shkupit para pak kohësh votoi për masa emergjente për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, iniciativë e organizatës civile “Green Humane City”. Tashmë, pas kësaj vale ndotjeje, mbetet për t’u parë nëse do të fillojnë të aplikohen./Telegrafi/
The post Shkupi në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë appeared first on Telegrafi.