Shkupi i gatshëm të përballet me valë të re refugjatësh afganë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Situata e tensionuar në Afganistan dhe paralajmërimet për një valë të mundshme të atyre që ikin nga ky vend drejt Bashkimit Evropian, imponojnë nevojën e forcimit të masave dhe vendosjen e një komunikimi më të fortë mes institucioneve, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhimin e kufijve në Maqedoninë e Veriut.

Edhe organizatat joqeveritare paralajmërojnë se Maqedonia e Veriut, si pjesë e asaj që njihet “Rruga Ballkanike”, duhet të përgatitet për një valë të mundshme të refugjatëve.

Maqedonia e Veriut në vitin 2015 ishte vërshuar nga dhjetëra mijëra refugjatë nga vendet aziatike, përfshirë edhe Afganistanin, që përdornin territorin e saj për destinacionin e tyre të fundit, vendet e BE-së.

“Bashkëpunimi mes shërbimeve të sigurisë duhet të jetë në nivel shumë më të lartë, megjithëse të gjithë e dimë se asnjë kufi në botë nuk mund të jetë hermetikisht i mbyllur. Në këtë situatë, shërbimet operative duhet të jenë në krye të detyrës në zbulimin, para se gjithash, të atyre grupeve që merren me trafikimin me qenie njerëzore, pasi ata nuk dinë vetë të lëvizin, nuk njohim as terrenin e as rrugët. Prandaj që të tani ekipet e zbulimit duhet të punojnë në parandalimin e grupeve që merren me kalimet ilegale të refugjatëve”, thotë Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhimin me kufijve.

Advertisement

Lidhur me gjendjen e krijuar të premten më 20 gusht kanë diskutuar me telefon kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Bashkimi Evropian duhet t’iu ndihmojë afganëve në Afganistan dhe shtetet fqinje, sidomos në Iran, përndryshe vala e refugjatëve do të jetë e pashmangshme”, citohet t’i ketë thënë Erdogan kryeministrit grek.

Trpe Stojanovski, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata e re në Afganistan ka të ngjarë të prodhojë valë refugjatësh që lëvizin përgjatë rrugëve të përcaktuara, siç është edhe ajo ballkanike. Sipas tij, detyra kryesore e autoriteteve duhet të jetë monitorimi i situatës dhe pjesëmarrja në planet e Bashkimit Evropian.

“Ne duhet të marrim pjesë në të gjitha planet që bëhen, përgjegjësitë dhe kompetencat duhet të ndahen. Prania e policëve të huaj në vendin tonë në kufirin jugor është sigurisht një avantazh në shumë aspekte, veçanërisht pasi do të thotë pjesëmarrje në sfidat globale të vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ajo që po bëhet deri më tani dhe mësimet e nxjerra nga e kaluara, duhet të vazhdojnë me intensitet edhe më të lartë”, thotë Stojanovski.

Advertisement

Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhimin e kufijve, thotë se Maqedonia e Veriut është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet tjera për të parandaluar apo për të menaxhuar një situatë të mundshme me refugjatët, për të ndihmuar këta njerëz që ikin për të shpëtuar jetën e tyre, por edhe për të zbuluar ekstremistë që shumë lehtë mund të infiltrohen në grupe të mëdha njerëzish dhe të kalojnë shumë lehtë në destinacionin e tyre.

Organizata joqeveritare “Legis”, e cila ka ndihmuar refugjatët në vitet e fundit, vlerëson se “Rruga Ballkanike” ende është aktive. Mersiha Smailoviq, drejtuese e kësaj organizate, e cila ka zyra në kampet e pritjes pranë kufijve me Serbinë dhe Greqinë, ka thënë se OJQ-të dhe shteti kanë marrë leksionet e përballjes me refugjatët, andaj edhe duhet të jenë gati për një valë të re të mundshme. Ajo thotë se një nga gjërat që shteti duhet të bëjë tani është miratimi i kërkesave për azil.

“Deri më tani, janë tre afganë në vendin tonë, njëri prej të cilëve ka mbrojtje për një vit, ndërsa ne kemi një grua që është në rrezik të madh pasi aplikimi i saj nuk është pranuar dhe ajo po qëndron ende këtu në pritje të procedurave”, thotë Smailoviq.

Maqedonia e Veriut është në pritje të rreth 450 afganëve që kanë mbështetur trupat amerikane në Afganistan, të cilët për shkak të frikës nga hakmarrja e talibanëve kërkojnë strehim në vende tjera deri në vendosjen e tyre përfundimtare në SHBA. Ardhja e tyre mbetet ende e paqartë për shkak të tensioneve në Kabul.

Advertisement

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka deklaruar se deri më tani Maqedonia e Veriut nuk ka pranuar asnjë kërkesë për azil, por tha se nëse paraqiten, atëherë ato shqyrtohen në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Të gjithë personat nga Afganistani do të marrin statusin e qëndrimit të përkohshëm prej 90 ditësh.

I pyetur se pse Maqedonia e Veriut bazuar në numrin e popullatës do të pranojë numër më të madh të afganëve, kreu i qeverisë është përgjigjur:

“Ndoshta sepse kemi zemër më të madhe sesa të gjithë të tjerët, sepse ndihemi më shumë njerëzor se të gjithë të tjerët, ndoshta sepse rajoni ynë ka kaluar një lloj traume në të kaluarën e afërt se sa vendet e tjera, kështu që ne e dimë sa e rëndësishme është ndihma që jep kur dikush të zgjatë dorën. Ne kemi parë imazhet e trazirave, marrjen e jetës, skena të tmerrshme. Pra, qëllimi ynë përfundimtar është të ofrojmë ndihmën tonë”, ka deklaruar Zaev./REL/

Advertisement

The post Shkupi i gatshëm të përballet me valë të re refugjatësh afganë appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy