
Kryetari i LD-së Izet Mexhiti, sot sërish ka folur për marrëdhëniet e partnerëve në Koalicionin VLEN. Ai tha se shkrirja e VLEN-it në një parti politike ka filluar prej vitit të kaluar, duke shtuar se nuk kanë dashur që ta përshpejtojnë këtë ide.
Në lidhje me marrëdhëniet me Arben Taravarin, ai tha se ai është i mirëpritur brenda koalicionit dhe e ftoi të reflektojë.
“Nuk është mirë t’i relativizojmë gjërat, komunikimi dhe marrëveshja politike dallojnë shumë si terme. Ne komunikojmë me gjithsecilin, pra në parlament komunikojmë me deputetë, në restorante, në bufe, në holle, në institucione të tjera, gjatë përditshmërisë takohemi dhe flasim se fundi fundit nuk kemi hasmëri as nuk jemi në betejë, luftë të vërtetë, komunikojmë me secilin që komunikon me ne. Unë nuk fsheh që komunikojë me të gjitha subjektet politike, përshëndetem, flas, mund të pijë edhe ndonjë kafe por kjo është komunikim”.
“Ne mbrëmë e ftuam z.Taravari të reflektoj sepse flitet dhe ka informata dhe vetë e ka vërtetuar që ka bisedime me z.Ali Ahmeti, me BDI-në. Brenda VLEN-it gjithçka është e lejuar, është legjitime edhe për ndërtim pozicionesh, edhe për ndërtim idesh, mirëpo demokracia ka një rregull, debatohet shikohen argumentet dhe shkojnë propozimet e shumicës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se nëse nuk mirresh vesh te shtëpia të shkosh te BDI-ja. Votat i kemi fituar bashkë dhe jo individualisht si parti politike. Në kohë të vështirë jemi bërë bashkë, nuk është mirë që në kohë të relaksuar të ndahemi. E ftoj Taravarin të reflektojë, është pjesë e VLEN-it dhe e dëshirojmë këtu. Është koha e fundit të tërhiqet nga bisedimet me BDI-në. Nuk mund edhe të jetë pjesë e VLEN-it dhe të bisedojë me BDI-në”, tha mes tjerash Mexhiti.
“Ideja për shkrirjen e VLEN-it është prej në fillim. Nuk kemi dashur as ta sforcojmë as ta harrojmë. Është çështje procesi nëse shkrirja do të jetë prej lartë ose për poshtë. Ky proces ka filluar prej vitit të kaluar. Qendra për informim është e përbashkët, ku marrin pjesë të gjitha partitë. Organizimi i PR është i përbashkët. Prej poshtë ka filluar shkrirja e VLEN-it dhe kjo nuk mund të mohohet”, tha Mexhiti./Telegrafi/
The post Shkrirja e VLEN-it në një parti, Mexhiti: E ftoj Taravarin të reflektojë, nuk mund të bisedojë me BDI-në derisa është pjesë e koalicionit appeared first on Telegrafi.