Mbrojtja e BE-së është e një rëndësie të madhe për Evropën dhe sigurinë evropiane, por edhe për NATO-n, pasi është e lidhur pazgjidhshmërisht me sigurinë transatlantike, tha sot zv. sekretarja e përgjithshme e NATO-s Radmilla Sheqerinska në fjalimin e saj në Konferencën Vjetore të Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Bruksel.
“Si dikush që vjen nga Maqedonia e Veriut, dhe nuk është “insaider” në BE, ju mund të pyesni veten nëse jam më kompetenti për të folur për bashkëpunimin NATO-BE. Por, veçanërisht duke pasur parasysh origjinën time kombëtare, besoj se vendi im tregon saktë se sa i rëndësishëm, i vlefshëm dhe i dobishëm është bashkëpunimi NATO-BE”, tha Sheqerinska.
Sipas saj, partneriteti i ngushtë midis NATO-s dhe BE-së është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës, por edhe për rindërtimin e bazës industriale të mbrojtjes transatlantike dhe forcimin e qëndrueshmërisë.
“Diçka për të cilën do të përpiqem në punën time si Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është që të dy organizatat të punojnë edhe më ngushtë së bashku. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu me ju sot. Më lejoni të dërgoj këtë mesazh dhe të them se ky partneritet NATO-BE ka një rëndësi të madhe për Sekretarin e Përgjithshëm (të NATO-s) Mark Rutte. Ai është në kontakt të rregullt me kolegët e tij nëpër institucionet e BE-së”, shtoi Sheqerinska./Telegrafi/
The post Sheqerinska: Partneriteti ndërmjet NATO-s dhe BE-së është i një rëndësie të veçantë appeared first on Telegrafi.