“Ne e shohim anëtarësimin në NATO jo vetëm si një privilegj, por edhe si një përgjegjësi dhe një mundësi për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në botë dhe në rajon. Kjo është arsyeja pse ne jemi krenarë për pjesëmarrjen tonë në misionin e KFOR-it në Kosovë, sepse kështu rajoni i ndjeu drejtpërdrejt përfitimet e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, ndërsa NATO fitoi një aleat, politika konstruktive e të cilit është njohur prej kohësh në rajon dhe përtej”, tha ministrja Radmila Sheqerinska në takim në Napoli me komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admiralin Robert Burke.
Biseda u përqëndrua gjithashtu në situatën në botë, duke iu referuar Afganistanit, dhe situatën në rajon ku vendi ynë si anëtar i NATO-s kontribuon drejtpërdrejt në paqe dhe stabilitet, për të cilat mori vlerësime pozitive nga Aleanca.
Sheqerinska u përshëndet në bazën e NATO-s me një kordon të veçantë duke mirëpritur praninë e saj në selinë e një prej komandave më të rëndësishme të Aleancës.
Delegacioni nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria, e udhëhequr nga Ministrja, gjithashtu pati takime në drejtori për stërvitjet dhe operacionet ku u informuan për aktivitetet dhe planet e Komandës Aleate./Telegrafi/
The post Sheqerinska: Anëtarësimi në NATO është një mundësi për të kontribuar në paqen dhe sigurinë botërore appeared first on Telegrafi.