
Kur siguria është e kërcënuar, asgjë nuk është më e rëndësishme, tha sot zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, në një takim me të rinjtë në Budva të Malit të Zi.
“NATO mbetet një aleancë mbrojtëse, por historia, që nga kohërat e lashta, tregon se nëse duam të shmangim luftën, duhet të jemi të përgatitur për të”, tha Shekerinska.
Ajo shtoi se duke treguar forcë, unitet dhe vendosmëri për të mbrojtur çdo aleat, Aleanca do të arrijë pikërisht këtë, të parandalojë konfliktin.
Shekerinska njoftoi se samiti i ardhshëm i NATO-s në Hagë në qershor do të përqendrohet në rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe kapaciteteve të prodhimit të mbrojtjes. Disa vende, veçanërisht ato që kufizohen me Rusinë, kanë arritur tashmë 4-5 përqind të BPV-së për mbrojtje.
“Në kohë sfidash, ne duhet të marrim vendime të vështira, kjo do të thotë më shumë investime në mbrojtje”, theksoi ajo.
Shekerinska nënvizoi se jetojmë në kohë të rrezikshme, lufta në Ukrainë vazhdon dhe bashkëpunimi i Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën tregon nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të NATO-s.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet me rëndësi strategjike për Aleancën.
“Nuk mjafton vetëm të mos kesh luftë. Fjalët kanë kuptim. Sot, rajoni është në paqe dhe aspiron drejt BE-së, por ne ende dëgjojmë deklarata për përçarje, nacionalizëm dhe secesionizëm. Këto nuk janë vetëm fjalë, ndonjëherë fjalët janë më të rrezikshme se armët, sepse ato mund të shkaktojnë dhunë”, paralajmëroi Shekerinska./Telegrafi/
The post Shekerinska: Ballkani Perëndimor duhet të jetë i kujdesshëm me fjalët, mund të jenë më të rrezikshme se armët appeared first on Telegrafi.