“Politika e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është e orientuar drejt avancimit dhe promovimit më të madh të arsimit të mesëm profesional, sepse është deficitar dhe kemi mungesë të kuadrit profesional në vend. Kjo do të thotë se përzgjedhja e shkollës së mesme profesionale është vendim i cili ofron një mundësi më të madhe për prosperitet personal, për punësim të shpejtë pas diplomimit, por edhe bazë të mrë për zhvillim të mëtejshëm akademik”.
Këtë mes tjerash e deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili ishte pjesëmarrës në ditën e hapur të shkollës “Cvetan Dimov” në Shkup. Ai ju bëri thirrje të rinjve që të mos ngurrojnë që të zgjedhin arsimin profesional.
“Unë i këshilloj gjysmëmaturantët që të udhëhiqen nga dëshirat dhe afinitetet personale, por gjithmonë të kenë parasysh informacionin se çfarë lloj arsimi kërkohet në tregun e punës. Kështu më lehtë do të sjellin vendimin, sepse do të shohin se është arsimi profesional”, theksoi Shaqiri duke shtuar se “Cvetan Dimov” është një shkollë e shkëlqyer e cila tashmë është integruar me sukses në shoqëri dhe në proceset shoqërore.
“Mos e humbisni rastin të bëheni njerëz të zellshëm, përplot me njohuri dhe aftësi praktike që do t’ju sjellin prosperitet”, porositi Shaqiri nxënësit e shkollave fillore në Çair.
Ai vlerësoi stafin e shkollës, për të cilin tha se është kombinim i mësimdhënësve me përvojë, por edhe i kolegëve më të rinj të cilët i janë përkushtuar plotësisht kësaj pune, ndërsa rikujtoi se objekti i shkollës është i rikonstruktuar dhe i pajisur mirë për mësim.
The post Shaqiri: Angazhohemi për avancim të arsimit të mesëm profesional appeared first on Telegrafi.