Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska tha se dita e diel si ditë pushimi po bëhet realitet dhe se është siguruar ditë për familjen.
“Ata që do të punojnë kanë për 50 deri në 100 për qind më shumë paga ditore dhe ditë të lira”, tha Shahpanska pas vendimit të Qeverisë për ta miratuar Propozim-ligjin për marrëdhënie pune që pritet të çohet në procedurë kuvendare, ndërsa zbatimi i këtij ligji të fillojë nga 1 tetori.
Sipas analizave të MPPS-së, mbi 92 për qind e punëtorëve në Maqedoni do ta kenë të dielën si ditë pushimi.
“Ky ligj është përgatitur me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve në dialog social, përfaqësues të punëtorëve përmes sindikatave të tyre dhe të punëdhënësve. Ligji parasheh të jetë ditë pushimi për të gjithë punëtorët, përveç një pjesë në veprimtaritë ku procesi i punës nuk mund të ndalohet”, tha Shahpanska.
Ajo sqaroi se ata punëtorë që punojnë të dielën do të paguhen minimum 50 për qind nga pagesa ditore dhe do të marrin ditë të lirë që do të und ta përdorin gjatë shtatë ditëve të ardhshme.
“Me ndryshimet e Ligjit për tregti për punëtorët në tregti është paraparë pagesë ditore e dyfishtë dhe ditë të lirë, për shkak se bëhet fjalë për veprimtari që nuk mund të ndalohet. Zbatimi i ligjit do të kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, ndërsa ata që nuk do të respektojnë ligjin do të ballafaqohen me ndalesë për punë për 15 ditë dhe gjobë. Nëse punëdhënësi e përsërit të njëjtën kundërvajtje, ndalesa për punë do të jetë 30 ditë, ndërsa për periudhën e ndalesës së punës, punëdhënësi do të detyrohet që punëtorëve t’u paguajë pagën në vlerë që është paguar muajin e kaluar dhe nuk guxon ta ulë numrin e punëtorëve”, tha Shahpasnka./Telegrafi/
The post Shahpanska: Mbi 92% e të punësuarve ditën e diel do ta kenë ditë pushimi, ata që punojnë do të paguhen për 50-100% më shumë dhe ditë të lirë appeared first on Telegrafi.