Në poliklinikën “Jane Sandanski” filloi dje vaksinimi me vaksinën ruse “Sputnik V”. Deri dje pasdite janë vaksinuar rreth 180 persona. Në të njëjtën kohë, vazhdoi rivaksinimi me vaksinat Pfizer. Ndërkohë, 913 raste të reja me kovid-19 janë regjistruar dje nga 3.707 teste të kryera. Gjashtëmbëdhjetë njerëz vdiqën dhe 351 pacientë janë shëruar.
Në repartet infektive në vend mjekohen 917 pacientë me Kovid-19 dhe ka rreth 290 shtretër të lirë spitali në kovid qendrat, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Gjithsej deri dje në vend janë kryer 551.917 teste. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 109.262. Numri i pacientëve të shëruar është 96.173, numri i vdekjeve 3.244 dhe numri i rasteve aktive është 9.845.
Kryeministri Zoran Zaev i hodhi poshtë dje akuzat për veprim joligjor në lidhje me furnizimet e vaksinave kundër Kovid-19 nga kompania kineze Sinofarm. Tha se për furnizimin e vaksinave është shkuar përmes firmave private, në këtë rast dhe përmes Pauer Çajna, ndërsa porosia është bërë përmes Ambasadës kineze dhe MPJ-së së Kinës në kërkesë të autoriteteve kineze.
“Absolutisht mohoj çfarëdo lloj qëllimi të keq ose veprimi joligjor. Sepse në këtë periudhë kemi bërë përpjekje të furnizojmë vaksinë sipas të gjitha kanaleve të mundshme siç presin qytetarët tanë, një orë më parë. Unë mirëpo edhe ministri i Shëndetësisë e ka informuar opinionin se pas dy javësh pritje të aktiviteteve të Ambasadës kineze, ne direkt përmes Sinofarm nuk kemi mundur të kontaktojmë dhe porositëm përmes kompanive private të cilat MPJ nuk i konfirmoi dhe për atë edhe paradhënia ishte tërhequr. Tani presim të arrijnë porositë përmes MPJ-së së Kinës, gjegjësisht përmes Ambasadës kineze”, tha Zaev në pyetjen e gazetarëve në lidhje me shkrimet e gazetës italiane “La verita” për furnizimin e vaksinave kineze për shtetin.
Çdo vend, shtoi, bën përpjekje, dhe ne njëkohësisht kemi dërguar letër për qëllime, për interes, përmes dhjetëra kompanive private nga Austria, nga Britania e Madhe dhe Amerika, krahas kompanive zyrtare përmes ambasadave të cilat i kemi.
“Gjithsesi porositë që i kemi bërë, në rastin konkret me Kinën, janë me vërtetim dhe letër të Sinofarm me të gjitha dokumentacionet e rregulluara. Janë sjellë të gjitha vendimet e domosdoshme, por në fund u vendos se duhet të shkojmë përmes Ambasadës kineze, përmes MPJ-së së Kinës që të mund të realizohet vetë sasia prej 200.000 vaksinave të cilat janë porositur. Në rastin e parë kemi pasur edhe vërtetim të Ministrisë së Shëndetësisë të Kinës, por megjithatë i respektojmë qëndrimet diplomatike të RP miqësore të Kinës dhe për atë porosia tani është përmes Ambasadës dhe MPJ-së së Kinës”, tha Zaev.
Ai sqaroi se Qeveria ka bërë porosi edhe përmes kompanive private.
“Po, kemi bërë porosi dhe unë kam thënë na ndihmoi në të gjithë porosinë Pauer Çajna e cila është kompani amë e Sinohidro e cila i ndërton rrugët në Maqedoninë e Veriut. Një firmë tjetër kineze që nuk punon për momentin në infrastrukturë. Pauer Çajna është një nga nëntë kandidatët për Çebren. Kompania Xhinova në pronësi shtetërore të Kinës. Dhe prej atje bëjmë përpekje përveç Ambasadës”, deklaroi Zaev.
Ndërkaq, deputeti Antonio Milloshoski i bëri thirrje kryeministrit Zaev të thotë kush është kompania në Hong Kong, pas artikujve në “La Verita”. “Pyetja jonë kryesore sot është cili është emri i ndërmarrjes fantazmë që është regjistruar në Hong Kong dhe si Ministria e Shëndetësisë zgjodhi këtë kompani për të ndërmjetësuar në furnizimin e vaksinave kineze”, pyeti Milloshoski.
Milloshoski shtoi se gazeta “La Verita” raportoi se për herë të parë Kina refuzoi të bashkëpunojë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Maqedonisë për shkak të faktit se, sipas tij, ministri i Shëndetësisë kërkoi që prokurimi të bëhej përmes një kompanie të dyshimtë.
Deri më tani, 8.000 vaksina Fajzer kanë mbërritur në vend si donacion nga Serbia dhe 3,000 vaksina ruse Sputnik V.
Kompania “Fajzer-Biontek” në 2021 do të dorëzojë 800.280 doza vaksinash në Maqedoninë e Veriut, dhe shpërndarja do të bëhet në katër kuartale. Dorëzimi i parë do të bëhet këtë muaj, gjatë të cilit do të shpërndahen 21.060 doza të vaksinave.
Doza e dytë e vaksinave ruse do të mbërrinte në vend më së voni për tre javë, por flitet intensivisht për arritjen në sasi më të mëdha nga sa ishte planifikuar fillimisht. Nga “Sputnik V” janë porositur 200,000 doza.
Kryeministri Zaev tha dje se vendi ka porositur rreth 2 milionë e 350 mijë vaksina dhe se pritet që sasi më të mëdha të fillojnë të mbërrijnë deri në fund të këtij muaji.
“Nëse është një vlerësim për një milion qytetarë që do të vaksinohen në vend, kjo do të thotë 2.000.000 vaksina, për momentin ne kemi paguar 2.350.000 vaksina së bashku me ato 800.000 të porositura nga “Fajzer”, 800.000 të porositura nga “mekanizmi Kovaks”, 200.000 i kemi nga Kina, 200.000 nga “Sputnik V”, si dhe kemi edhe 250.000 shtesë nga BE-ja, të gjitha kur i grumbulloni vijnë 2.350.000 dhe ne presim që ata të arrijnë së shpejti”, tha kryeministri.
Deri dje, 130.463 qytetarë kanë paraqitur për vaksinim kundër Kovid-19, nga të cilët 76.990 përmes uebfaqes vakcinacija.mk, dhe 53.473 përmes mjekëve të familjes. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar për vaksinim, 61.908 qytetarë janë mbi 70 vjeç.
The post Rritje e rasteve të reja me Covid-19 në Maqedoni, filloi vaksinimi me “Sputnik V” appeared first on Telegrafi.