Rrënimi i objektit pa leje tek Mavrovasja është njëra nga punët e para që do të bëjë Qeveria e re udhëhequr nga Zaev. Ndërtimi është pa leje dhe se Qeveria do të bëjë gjithçka që objekti të rrënohet, deklaroi vetë Zoran Zaev.
“Njëra nga çështjet e para është të rrënohet objekti para qendrës tregtare “Mavrovasja” sepse është ndërtim pa leje dhe ne do të bëjmë gjithçka si Qeveri. Kemi shqyrtuar ide dhe besojmë se do t’i harmonizojmë me rregulloret ligjore të vendit”, theksoi Zoran Zaev, kandidat për kryeministër.
Por se kush është pronari i objektit që është ndërtuar pa leje ende nuk dihet, ndërsa Prokuroria Publike Themelore ka kërkuar informacione shtesë nga autoritetet kompetente.
“Janë kërkuar informacione, të dhëna dhe dokumentacion shtesë nga organe kompetente dhe ende Prokuroria po pret informacionet dhe raportet e kërkuara”, thonë nga Prokuroria Publike Themelore.
Komuna e Çairit njofton se më 3 shtator përfundon tenderi i tretë i shpallur nga komuna për rrënimin e objektit tek Mavrovasja. Për tenderin e tretë është rritur vlera në 2 milion denarë, i cili është pa kritere dhe kufizime vetëm që të tërheqin të paktën një operator ekonomik për të rrënuar objektin pa leje te Mavrovasja.
Nëse edhe për herë të tretë tenderi dështon dhe nuk paraqitet operator ekonomik për ta rrënuar objektin atëherë në komunë do të konsultohen anëtarët e Komisionit për furnizim publik dhe do të vendoset hapat e mëtutjeshme.
Për institucionet vazhdon të mbetët i panjohur pronari i objektit, ndërkaq me 23 korrik u mor vendim për prishjen e të njëjtit. Objekti pa leje po ndërtohet në vendin e ish-kafiterisë “Fontana”, e cila u dogj kah mesi i majit.
The post Rrënimi i objektit te Mavrovasja, njëra nga çështjet e para të Qeverisë së re të Zaevit appeared first on Telegrafi.