Ambasadori i BE-së në RMV, Michalis Rokas njoftoi se vendi do të marrë mbështetje nga BE. Sipas tij, raporti i BE-së ka një strukturë tjetër për ta bërë më të lehtë leximin, prandaj Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe miqësi janë të vendosura në faqen e parë të Raportit me BE-në, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në konferencën për shtyp me kryenegociatorin e RMV-së me BE-në, Orhan Murtezani, Rokas sqaroi se paraprakisht janë përmendur të 120 rekomandimet dhe këtu është edhe pjesa për respektimin e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë.
“Që të gjithë të fokusohen në elementët thelbësorë dhe më pas të gjithë të kalojnë në faqet e tjera që kemi analizuar në fakt. Natyrisht, nuk duhet thënë se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten si element thelbësor i procesit të zgjerimit”, tha Rokas.
Ambasadori konfirmoi se kur kryetarja e KE-së, Ursual Von der Leyen ishte në Shkup javën e kaluar, ajo dha një mesazh të qartë dhe citoi fjalët e saj në konferencën për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Fillimisht u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer. Më pas citoj: “Hapni sa më shpejt kapitullin “Vlerat themelore”. Pothuajse jemi aty dhe e dimë që bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese që vendi juaj është zotuar të zbatojë.
Tani kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunim dhe dialog dhe shpresoj që të gjitha partitë politike në vend të bashkohen dhe të hedhin një hap vendimtar përpara. Më pas ajo vazhdoi se është e bindur se pengesat ekzistuese mund të kapërcehen. Kaq më duhet të them”, tha Rokas, i pyetur për qëndrimin se a është e mundur të bëhen ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar, siç kërkon Qeveria e RMV-së./Telegrafi/
The post Rokas: Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë element thelbësor i procesit të zgjerimit appeared first on Telegrafi.