Të rinjtë e partive politike në vend do të mësojnë si të mbajnë ditar antikorrupsion, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, që si politikanë të ardhshëm do të duhet ta realizojnë në praktikë. Në hapësirat e prokurorisë publike, së pari gjimnazistët, e tani edhe studentët dhe të rinjtë e partive politike do të fitojnë njohuri dhe shkathtësi se si të ballafaqohen me korrupsionin përmes disa punëtorive.
Sipas ekspertëve, ky është hap shumë domethënës sepse këta politikanë të ardhshëm edhe si të rinj do t’i mësojnë mjetet për ta çrrënjosur korrupsionin.
“Qëllimi i këtij projekti, që nga koha kur e kemi hartuar, është ta trajtojmë korrupsionin nga një nivel tjetër, dhe ky është nga niveli i atyre që kanë fuqinë vendimtare në të ardhmen dhe që besojmë se mund të ndryshojnë shumë. Zgjodhëm të rinjtë dhe liderët e rinj politikë sepse besojmë se duke promovuar lidership etik, standard të ri në qeverisje, do të jemi realisht në gjendje të përballemi me sfidat e korrupsionit.
Disi kemi përshtypjen se deri më tani është folur shumë për korrupsionin, por rezultatet mungojnë dhe prandaj besojmë se duke adresuar këtë problem pikërisht tek të rinjtë dhe duke forcuar kapacitetet e tyre për njohjen dhe ndërtimin e rezistencës ndaj korrupsionit, do të mund të kemi rezultate të rëndësishme si shoqëri në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Lençe Ristovska, prokurore.
The post Ristovska: Të rinjtë mësohen si të përballen dhe të luftojnë korrupsionin appeared first on Telegrafi.