Në Maqedoninë e Veriut është rikthyer ndotja e ajrit në shifra alarmante, madje të enjten dhe të premten, Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, duke lënë pas kryeqytetet si Daka, Nju Delhi dhe Kalkuta, bazuar në faqet botërore të internetit për matjen e ndotjes së ajrit. Prania e grimcave PM10 dhe PM2.5 tani disa ditë është shumë herë mbi normat e lejuara, ndërsa në Shkup ka arritur në mbi 200 mikrogramë për metër kub.
Drejtuesit e qytetit të Shkupit, masën e vetme që kanë ndërmarrë ishte ajo e transportit publik falas nëpër qytet, me qëllim uljen e numrit të automjeteve në komunikacion, që konsiderohet si një nga shkaktarët e ndotjes. Por, edhe kjo masë aplikohen varësisht nivelit të ndotjes.
Institucionet në vazhdimësi janë kritikuar për mungesë masash, në veçanti nga sektori joqeveritar, ndërsa shumë herë janë organizuar edhe protesta, por pa ndonjë rezultat konkret.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor, thonë se rregullativa ligjore është adekuate, që parasheh një sërë masash, përfshirë edhe gjobat për ndotësit, por problemi kryesor sipas kësaj ministrie, qëndron në mënyrën e ngrohjes gjatë sezonit dimëror.
“Derisa të mos e ndryshojmë mënyrën e ngrohjes së ndërtesave dhe banesave publike dhe private, nuk do të kemi zgjidhje afatgjatë për këtë problem. Duhet të presim ndërtimin e rrjetit të gazit dhe investime tjera në sistemin energjetik, që të mund të shohim rezultate edhe në uljen e ndotjes së ajrit”, thonë nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Elmedina Abdullahi, njohëse e çështjeve të ambientit dhe drejtuese e shoqatës “Nëna dhe Fëmija”, thotë për Radion Evropa e Lirë se, se zgjidhje afatgjatë të problemit nuk do të ketë asnjëherë nëse për këtë problem, sipas saj, flitet vetëm atëherë kur të paraqitet ndotja.
Ajo thotë se nevojitet një strategji afatgjate, detektimi i ndotësve dhe hartimi i masave konkrete.
“Problemi me ajrin e ndotur është këtu mes nesh. Nga ky problem nuk jemi duke u çliruar vetëm për një arsye, sepse për këtë problem diskutohet vetëm kur vjen dimri, kur ka ndotje dhe nuk diskutohet asnjëherë për një zgjidhje afatgjate. Ata që janë në Qeveri gjithmonë arsyetohen se është një problem që nuk mund të zgjidhet aq lehtë. Por, edhe pse u janë në pozita që mund të ndërmarrin masa afatgjate, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë dhe prandaj ne vazhdojmë të kemi ajër të ndotur”, thotë Abdullahi.
Ajo konsideron se problem nuk është vetëm mënyra e ngrohjes gjatë dimrit, që kryesisht bëhet me mazut, dru, qymyr e lëndë të tjera djegëse, por edhe shumë kapacitete industriale, që janë edhe ndotësit më të mëdhenj, sipas saj.
Me këtë rast, Elmedina Abdullahi, njohëse e çështjeve të ambientit përmend një kombinat metalurgjik në Tetovë, me mbylljen e të cilit u ul edhe niveli i ndotjes në këtë qytet.
“Pas mbylljes së Jugohromit (kombinat metalurgjik) kemi një rënie të ndotjes deri në 60 për qind në Tetovë, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi problem me ndotjen. Fatkeqësisht ende nuk jemi në hapa të duhur, nuk jemi duke u marrë seriozisht me këtë problem, pra vazhdon avazi i vjetër. Ne tani nuk jemi të parët me ndotje në vendin tonë e as në Evropë, por vazhdojnë ta kemi problem ndotjen e ajrit, të cilin vërtet duhet ta trajtojmë”, thekson Abdullahi.
Rritja e ndotjes së ajrit ka alarmuar edhe mjekët, të cilët kërkojnë kujdes maksimal tani në kohën kur ka edhe rritje të rasteve me COVID-19, që, sipas tyre, mund të shkaktojnë edhe më shumë ndërlikime në shëndetin e njerëzve, në veçanti në sistemin e frymëmarrjes te të sëmurët kronikë.
“Ndotja është një nga shkaqet kryesore të sëmundjes pulmonare obstruktive. Përkeqësimi i funksionit pulmonar ul ndjeshëm shanset për mbijetesë apo çon në përkeqësimin e gjendjes së personave të infektuar me COVID-19. Ndotja shkakton edhe sëmundje të tjera, siç është sistemi kardiovaskular, që do të thotë, përkeqësim të gjendjes shëndetësor, që fatkeqësisht mund të përfundojë me vdekje”, thotë Zllate Mehmedoviq, mjek nga Klinika e Pulmologjisë në Shkup.
Institucionet deri më tani shumë pak mjete kanë ndarë për ndotjen e ajrit. Buxheti për këtë vit nuk dallon shumë nga ai i vitit 2020, nga i cili për ndotjen ishin ndarë vetëm 0.5 për qind apo 16 milionë euro nga buxheti në vlerë prej katër miliardë eurosh./REL/
The post Rikthehet ndotja e ajrit në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.