Në Kuvend prej sot fillon debati për ribalancin e Buxhetit për vitin 2020 që është i dyti për këtë vit, për ballafaqim me pasojat e krizës së koronës, ndërsa qëllimi është realizimi i masave nga pakoja e katërt. Propozim-ribalanci i Buxhetit është sot në rend dite të Komisionit amë për financim dhe buxhet, ndërsa sipas rregullores zgjat 10 ditë. Nga OBRM-PDUKM-ja opozitare paralajmëruan 170 amendamente.
Të ardhurat me ribalancin e ri janë më të ulëta për 0.2 për qind krahasuar me ribalancin e parë, shpenzimet janë më të larta për 4.2 për qind dhe deficiti është rritur me 22.6 për qind krahasuar me ribalancin e parë dhe nevojitet për të financuar masat.
Të ardhurat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë të Veriut për vitin 2020 janë planifikuar në nivelin prej 196.4 miliardë denarë dhe janë pothuajse identike me planin, duke pasur parasysh se me ndryshimet e mëparshme të Buxhetit ato ishin planifikuar në niveli real, pra më i ulët për 11.5 për qind krahasuar me parashikimet fillestare të buxhetit.
Në strukturën e të hyrave të përgjithshme, të hyrat tatimore marrin pjesë me 55.6 për qind dhe janë planifikuar në nivelin prej 109.2 miliardë denarë. Kontributet e sigurimeve shoqërore si të ardhura burimore të mjeteve janë planifikuar në vlerë prej 65 miliardë denarë ose 2.6 për qind më e lartë se plani për vitin 2020. Të hyrat e tjera – donacione jo-tatimore, kapitale dhe të huaja janë planifikuar në nivelin prej 22.1 miliardë denarë.
Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 253 miliardë denarë ose 4.2 për qind, ose 10.1 miliardë denarë më shumë.
Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, deficiti pozicionohet në vlerë prej 56.6 miliardë denarë, ose 8.4 për qind e BPV-së.
The post Ribalanci i buxhetit, sot debatohet në Kuvendin e Maqedonisë appeared first on Telegrafi.