Enti Shtetëror i Statistikave ka paralajmëruar se rezultatet e regjistrimit të realizuar në shtator të vitit të kaluar do të shpallen deri në fund të këtij muaji. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski tha se, do të tentojnë t’i shpallin sa më shpejtë të jetë e mundur, nëse nuk ka shumë gabime në materialin, megjithatë ai siguroi se do të respektohen afatet ligjore.
“Obligimi ynë është që të dhënat t’i shpallim deri në fund të këtij muaji dhe do t’i përmbahemi asaj. Plani ynë është që diku ka data 30 të dalim me të dhëna. Bëhet fjalë për çështje teknike, të gjejmë hapësirë adekuate dhe ngjashëm”, tha Apostol Simovski.
Ai për “Klan Maqedoni” tha se, të dhënat që do të dalin nga regjistrimi do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e politikave më cilësore të zhvillimit.
“Do të ndryshohen shumë punë, fillimisht do të kemi politika shumë më të mira të zhvillimit. Deri më tani të gjitha politikat e zhvillimit ishin në bazë të të dhënave historike, të dhënave të vjetra, nuk ishin cilësore, apo kishte rrezik të mos ishin cilësore. Tani do të kemi të dhëna reale në bazë të së cilave do të jepen politika shumë më të mira se sa janë dhënë deri më tani. Absolutisht do të ndikojë vetëm pozitivisht të kemi të dhëna të regjistrimit”, tha Apostol Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave
Në lidhje me qytetarët që kanë refuzuar të regjistrohen, Simovski tha se, numri i atyre është relativisht i vogël. Por, sipas tij, për ata që nuk i kanë përfshirë me regjistrim, do t’i marrin të dhënat nga baza e të dhënave dhe nuk do të ketë asnjë person të paregjistruar. Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Në vitin 2011 kishte tentim për të kryer regjistrim të popullsisë, megjithatë ai dështoi për arsye politike./KlanMacedonia/
The post Rezultatet e regjistrimit në Maqedoni do të ndikojnë në krijimin e politikave të reja zhvillimore appeared first on Telegrafi.