Ministria e Arsimit ka hapur platformën e re për regjistrim online në shkolla të mesme pavarësisht se regjistrimi zyrtarisht është i paraparë për 14 dhe 15 qershor.
Gjysmë-maturantët që kanë marrë dëftesën e klasës së nëntë tashmë mund të aplikojnë përmes faqes së internetit e-uslugi.mon.gov.mk duke përdorur llogaritë e tyre të krijuara në Schools.mk.
Mësimdhënësi Burim Rexhepi tha për Alsat se informimi për këtë risi ishte pak i vonuar duke kujtuar se shumë prej nxënësve kanë harruar llogaritë dhe fjalëkalimet e tyre.
“Trajnim adekuat posaçërisht për nxënësit që t’i verifikojnë të dhënat në shërbimet elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Meqë shumica din t’i përdorin pajisjet elektronike, me këtë aplikim që e bëjnë ato shumë thjesht do ta kuptojnë se nuk ka komplikime brenda. Duhet vetëm ti marrin copy-paste të dhënat e veta duke filluar prej te emri deri tek pjesa e diplomave nga garat dhe shtypin aplikimin që të konfirmohet”, tha Burim Rexhepi, mësimdhënës.
Sipas Rexhepit, e veçanta e aplikimit online është përditësimi i të dhënave deri më 15 qershor në ora 15 kur edhe mbyllet paraqitja e parë e afatit të parë për regjistrim.
“Kanë mundësi deri më 15 qershor, përpara se ministria e Arsimit të përmbyll nxjerrjen e listës atëherë ato mund edhe ti përditësojnë të dhënat. Do të thotë se mund ti ndryshojnë, njerëz jemi edhe mund të gabojmë, edhe ti përditësojnë të dhënat duke i ndryshuar, duke mbajtur mend llogarinë dhe fjalëkalimin”, deklaroi Burim Rexhepi, mësimdhënës.
Gjysmë-maturantët të cilët nuk kanë mundësi aplikimin ta kryejnë nga shtëpia të njëjtën mund ta bëjnë në hapësirat e shkollës ku dëshirojnë të konkurrojnë, ndërsa tashmë janë caktuar edhe administratorët që do të ndihmojnë nxënësit.
Konkursi për shkollat e mesme, për vitin e ri shkollor 2022-23 ka paraparë 30 mijë vende të lira për gjysmë-maturantët në gjimnaz dhe drejtimet profesionale.
The post Regjistrimi në shkollat e mesme në Maqedoni do të bëhet online appeared first on Telegrafi.