Regjistrimi i popullatës, amvisërive dhe banesave në Maqedoni të Veriut do të zbatohet prej 1 deri më 21 prill të këtij viti, ndërsa për realizimin e tij do të përgatitet metodologji dhe dokumente të tjera shoqëruese. Vendimi përfundimtar për mbajtje të regjistrimit në vend, i pari pas 19 viteve, ishte konfirmuar me votimin e djeshëm në Parlament, pas të cilit, siç kishte paralajmëruar, nuk qëndroi partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE.
Kuvendi në kuadër të vazhdimit të seancës së 29-të me 62 vota “pro”, pa “të përmbajtur” dhe pa asnjë “kundër” e miratoi Ligjin për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021. Për regjistrimin kanë votuar edhe 29 deputetë pjesëtarë të bashkësive etnike. Këtë vendim ligjor e mbështetën shumica në pushtet LSDM, BDI dhe Besa, dhe Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa opozitare. Debati për Propozim ligjin në Kuvend përfundoi më 15 janar.
Sipas Ligjit, të dhënat e marra nga regjistrimi do të përdoren për të krijuar politika zhvillimore, planifikim makroekonomik, kërkime shkencore dhe qëllime të tjera statistikore. Të dhënat individuale nga Regjistrimi mund të përdoren për krijimin, mirëmbajtjen dhe azhurnimin e regjistrave statistikorë që janë nën kompetencat e Entit Shtetërore për Statistikë në përputhje me Ligjin. Do të regjistrohet edhe popullata rezidente, edhe ajo jorezidente.
Të dhënat personale të marra me Regjistrimin i nënshtrohen mbrojtjes konform me dispozitat e këtij Ligji, Ligjit për statistikat shtetërore dhe rregulloreve nga fusha e mbrojtjes së të dhënave personale.
Regjistrimi do të kryhet në periudhën nga 1 deri në 21 prill 2021, sipas situatës më 31 mars 2021, në ora 24:00, që do të konsiderohet një moment kritik i regjistrimit.
Me regjistrimin do të mblidhen të dhëna për popullsinë, amvisëritë dhe banesat në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë regjistrimit, do të kryhet regjistrimi në terren dhe do të përdoren në të njëjtën kohë të dhënat e mbledhura nga ana e MPB-së nga baza e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MSHIA të dhëna të përfshira në regjistrin e popullsisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga MASH nga të dhënat për nxënësit e regjistruar në shkollat fillore dhe të mesme në vitin aktual shkollor, nga MPPS nga të dhënat për personat shfrytëzues të të drejtave të të ardhurave sociale në të gjitha kategoritë, nga Agjencia për punësim e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga të dhënat për aktivitetin ekonomik të personave, nga DAP nga të dhënat për personat që kanë të ardhura dhe për të cilat paguhet tatim për të ardhurat personale, nga FSPIMV- Fondi i sigurimit pensional dhe invalidor i Maqedonisë nga të dhënat për përfituesit e pensionit për të gjitha bazat , nga Drejtoria për udhëheqje të librave amë, të dhënat nga librat amë të të lindurve, të vdekurve dhe personave të martuar, nga Agjencia e Kadastrës së Pasurisë së Patundshme nga të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme dhe lëvizjet e tyre, si dhe nga Enti shtetëror për statistikë nga të dhënat nga hulumtimet statistikore për studentët e regjistruar në studime universitare (cikli i parë) në fakultete dhe shkolla të larta profesionale në vitin akademik, si dhe të dhëna nga hulumtimet statistikore për ngjarjet jetësore dhe nga Regjistrin Statistikor i Bizneseve.
Regjistrimi do të realizohet me përdorimin e kompjuterit transmetues, në një aplikacion të veçantë, ku detyrimisht zbatohen masat teknike dhe organizative në përputhje me rregulloret në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Regjistrimi i parë në vend është realizuar në vitin 1948. Janë realizuar tetë regjistrime, ndërsa i fundit në vitin 2002. Në vitin 2011 ka filluar të realizohet një operacion i tillë statistikor, por ai u ndërpre.
Debati i djeshëm në Kuvend tregoi se edhe krahas argumenteve dhe kundër argumenteve të ofruara, pushteti dhe opozita mbetën në qëndrimet e veta lidhur me regjistrimin. Vetëm opozita shqiptare Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa votuan për ligjin, edhe pse para vetë aktit, koordinuesi i grupit të deputetëve, Skender Rexhepi shprehi mosbesim ndaj procesit për shkak se Qeveria nuk pranoi asnjë nga amandamentet e tyre. Me mbështetje të votave të atyre deputetëve në Kuvend u soll ligji me 62 vota “për”. Shumica në pushtet sërish po përballet me numër të pamjaftueshëm të deputetëve për shkak se një prej tyre është me Kovid-19, ndërsa një në vetëizolim, por edhe për shkak se disa nga deputetët nuk mori pjesë në mbledhje.
Kryeministri Zoran Zaev, të mërkurën, një ditë para votimit në Parlament, në konferencë për shtyp edhe njëherë potencoi se regjistrimi është operacion statistikor, e jo politik siç dëshirojnë ta prezantojnë, duke shfaqur bindje se të dhënat do të jenë reale. Ai kërkoi nga opozita të mos bëjë thirrje për bojkot, duke përkujtuar se qytetarët janë të obliguar me ligj të regjistrohen.
Me miratimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë janë krijuar kushtet normative që ky operacion i rëndësishëm statistikor të realizohet pas 19 vitesh, tha zëvendëskryeministri për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Lupço Nikollovski në Facebook, duke mirëpritur vendimin e deputetëve dhe miratimin e këtij vendimi ligjor.
“Institucionet janë të gatshme, do të kemi një inventar sipas standardeve ndërkombëtare. Koncepti është profesional dhe i përgjegjshëm, pa ndikime politike, të kemi statistika të sakta, të besueshme dhe të zbatohet nga ekspertët. Sipas kritereve të Eurostat dhe standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Nikollovski.
Sipas tij, partizanizimi i regjistrimit është i dëmshëm dhe krejtësisht i panevojshëm, sepse është operacion statistikor, i cili është i nevojshëm për të planifikuar zhvillimin e vendit.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dje në profilin e tij në Facebook e mirëpriti miratimin e Ligjit për regjistrim në Kuvend. Mariçiq gjithashtu u dërgoi një mesazh qytetarëve që të jenë të qetë dhe t’u besojnë institucioneve të cilat, siç shkroi ai, “janë më se të gatshme për të kryer këtë operacion statistikor”.
Rezultati i regjistrimit, sipas ministrit do të jetë një mjet themelor për krijimin e politikave të zhvillimit dhe do të përfitojë drejtpërdrejtë nga komuniteti i biznesit.
“Dua të përshëndesë vendimin e Kuvendit, i cili së fundmi miratoi Ligjin e regjistrimit. U bëj thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të besojnë te institucionet. Enti Shtetëror i Statistikës dhe institucionet janë më se të gatshme për të kryer regjistrimin dhe gjykimi sipas kësaj metodologjie të re tashmë është mirëpritur nga Komisioni Evropian. Pas gati dy dekadash, vendi do të realizojë përfundimisht një operacion të tillë kompleks statistikor dhe rezultati do të jetë një mjet themelor për krijimin e politikave të ardhshme të zhvillimit. Komuniteti i biznesit gjithashtu do të përfitojë drejtpërdrejtë nga regjistrimi”, tha Mariçiq.
“Pa e ditur saktësisht se sa banorë ka një qytet, fshat apo vendbanim, çka saktësisht punojnë, çfarë arsimi kanë, me çfarë prone disponojnë, çka saktësisht u nevojitet, nuk do të mund të krijojmë politika afatgjata zhvillimore dhe të kemi sens dëgjimi adekuat për nevojat e të gjithë qytetarëve”, deklaroi Mariçiq.
OBRM-PDUKM opozitare nuk mori pjesë në votim, ndërsa kohë më parë lideri i partisë, Hristian Mickoski paralajmëroi se është e mundur me grumbullimin e 10.000 nënshkrimeve të qytetarëve ata të kërkojnë anulim të këtij ligji dhe shtyrje të regjistrimit. Mickoski disa herë theksoi se metodologjia për zbatim të regjistrimit nuk dihet, ndërsa gjithshtu për ta është kontestues edhe nënshkrimi i dyfishtë i drejtorit të Entit shtetëror për statistika dhe zëvendësit të tij. Për OBRM-PDUKM-në ky nuk do të jetë operacion statistikor, por politik.
Koordinuesi i grupit të deputetëve të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski dje sërish e paraqiti qëndrimin e partisë, posaçërisht pas, siç tha, deklaratave për përqindje, pas çka vlerësoi se regjistrimi nuk do të jetë objektiv dhe i drejtë, nuk do të jetë relevant dhe real.
“Ditëve të fundit po licitohet me përqindje dhe njohje dhe sërish mosnjohje të rezultateve nga regjistrimi, që më jep të drejtë të konstatoj se vërejtjet tona janë të arsyeshme dhe se shumica e vërejtjeve mes të cilave edhe nënshkrimi i lidhur i drejtorit dhe zëvendësit ka ndonjë rol në këtë vendim ligjor dhe se regjistrimi nga operacion statistikor, kalon në operacion politik, Prandaj në emër të koalicionit të kryesuar nga OBRM-PDUKM konstatojmë se zgjidhja e këtillë e propozuar ligjore nuk do të jetë objektive dhe e drejtë. Regjistrimi nuk do të jetë relevant dhe regjistrim real”, tha Mickoski.
Efektet nga zgjidhja e këtillë ligjore do të shihen së shpejti, sipas Mickoskit, ndërsa përgjegjësia do të jetë e shumicës në pushtet.
The post Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni prej 1 deri më 21 prill appeared first on Telegrafi.