Universiteti i Tetovës ka reaguar në lidhje me njoftimet e fundit për plagjiaturë të punimeve shkencore të shtatë profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë, ku thonë se hulumtimet shkencore në këtë universitet zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore.
“Universiteti i Tetovës e ndjek me vëmendje publikimin e “informacioneve”, që hedhin dyshime për hulumtimet shkencore të disa profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Edhe pse nuk është në detyrën e institucionit tonë që t’i komentojmë “zbulimet” e “revistave” me autorë anonim, e njoftojmë opinionin publik se veprimtaria arsimore, hulumtuese shkencore e njësive akademike në Universitetin e Tetovës, zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore.
Avancimet akademike, mbrojtja dhe publikimi i punimeve shkencore u nënshtrohen mekanizmave filtrues, që e verifikojnë apo e skualifikojnë një kontribut të caktuar hulumtues”, thuhet në reagimin e UT-së.
Sa i takon lirimit nga detyra të ish-dekanit të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, profesorit Kastriot Haxhirexhës, shtojnë nga atje, e njoftojmë opinionin publik se, rektori i Universitetit këtë vendim e ka sjellë si pasojë e keqmenaxhimit, joefikasitetit në punë, mosreagimin në kohë ndaj parregullsive dhe shkeljes së etikës së punës, mosmarrjen e përgjegjësive ligjore-statutore dhe moskoordinimin me Këshillin Mësimor –Shkencor të kësaj njësie akademike./Telegrafi/
The post Reagon UT: Veprimtaria hulumtuese realizohet në përputhje me kriteret shkencore appeared first on Telegrafi.