
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar në lidhje me arrestimin e drejtorit të Klinikës për Geriatri dhe Mjekësi Paliative, i cili dyshohet se u kap duke marrë ryshfet.
“Ministria e Shëndetësisë angazhohet për një sqarim sa më të shpejtë të rastit nga ana e Prokurorisë Publike në lidhje me pretendimet për marrje ryshfeti nga një person në pozitë udhëheqëse në një institucion shëndetësor publik”.
“Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion nëse kërkohen çfarëdo lloj informacionesh në bazë të detyrës zyrtare. Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit më të përshtatshëm për të gjithë pacientët në institucionet shëndetësore publike”, thonë nga MSH.
Ndërkohë kanë reaguar edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, partia e të cilit e ka propozuar për drejtor të arrestuarin. Prej atje thonë se kush do që e ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
“Duke pasur parasysh se personi M.A është propozuar nga ASH për zgjidhje të përkohshme për drejtor të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë si në vijim: ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore”.
“Aleanca për Shqiptarët mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin rrënjësor të sistemit shtetëror, me qëllim që të gjitha dukuritë devijante të minimizohen. Populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet që ne përfaqësojmë. Organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë”, thonë nga ASH./Telegrafi/
The post Reagon Ministria e Shëndetësisë për arrestimin e drejtorit të Klinikës për Geriatri: Jemi në dispozicion të Prokurorisë appeared first on Telegrafi.