Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Krenar Lloga, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit në parti.
Lloga në një postim në Facebook bënë thirrje që “edhe nëse i ndajnë rrugët, këtë ta bëjnë si njerëz të civilizuar e familjarë”. Ai gjithashtu dënon aktin e vendosjes së plumbit para shtëpisë së Arben Taravarit dhe dhunën e mbrëmshme në mes anëtarëve të ASH-së.
“Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë, duam t’ju bëjmë me dije dhe t’ju sigurojmë se zyrat e Aleancës për Shqiptarët janë të të gjithë anëtarëve te saj. Sot mund të kemi keqkuptime e mosmarrëveshje, por nuk duhet aspak që ta largojmë njëri-tjetrin nga shtëpia jonë e përbashkët. Derisa të gjithë po përpiqemi të gjejmë rrugën e drejtë e të vertetë, bëjmë thirrje për maturi e qetësi. Ne kemi kaluar së bashku shumë situata: si gëzime, ashtu edhe hidhërime. Andaj, apelojmë që edhe nëse ndahen rrugët tona, këtë ta bëjmë si njerëz të civilizuar e familjarë”.
“Dënojmë çfarëdo lloj akti dhune shfaqur nga kushdo, ashtu siç e denojmë sot aktin qyqar që ka ndodhur ndaj bashkpartiakut tonë Arben Taravarit. Dhuna nuk është zgjidhje. Organet policore le ta zbardhin rastin dhe fajtorët të dalin para drejtësisë. Kemi ngrëne aq shumë bukë bashkë, sa duhet ta ruajmë dinjitetin para familjarëve tanë”, ka shkruar Lloga në Facebook.
Ndryshe, përçarjet në ASH u thelluan pasi kryetari i saj Arben Taravari kërkoi hapur që partia në zgjedhjet e radhës të shkojë së bashku me partitë opozitare shqiptare. Kundër këtij propozimi doli kryetari i Kuvendit Qendror të ASH-së Ziadin Sela, i cili edhe e akuzoi Taravarin për sjellje të papërgjegjshme./Telegrafi/
The post Reagon Krenar Lloga: Dënojmë aktin qyqar ndaj bashkëpartiakut Arben Taravari, edhe nëse i ndajmë rrugët këtë ta bëjmë si njerëz appeared first on Telegrafi.