Reagon BFI: Shteti përmes policisë po shkel mbi autonominë e BFI-së

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në vigjilje të festës së Fitër Bajramit të cilin besimtarët muslimanë në vend po e presin me padurim kurse BFI po bën parapërgaditjet më serioze me qëllim të mbarëvajtjes të namazit të Bajramit, me theks të veçantë në udhëzimin e xhemateve tona gjatë vizitës të xhamisë konform masave për parandalimin e Covid 19, jemi të shokuar nga disa sjellje të policisë së vendit.

Në fakt, dëshirojmë të njohtojmë opinionin më të gjërë se në këto ditë gjatë të cilave po spekulohet me një vendim eventual të Qeverisë lidhur me vënien e tërë shtetit në karantinë pikërisht gjatë ditëve të Bajramit, policia po ndërmer veprime të cilat janë në kundërshtim flagrant me parimet demokratike mbi të cilat mëton të mbështetet ky shtet.
Gjatë ditës së sotme, Kryesia e BFI është vërshuar me njohtime nga muftinitë dhe hoxhallarët tanë se policia po i merr në telefon imamët tanë dhe po ndikon mbi ata që të mos falin Namazin e Bajramit, kurse në raste të tjera, policët kanë hyrë edhe nëpër xhamitë tona me qëllim për të bërë presion. Lidhur me këto veprime të policisë, posedojmë edhe deklaratat me shkrim të imamëve dhe të punëtorëve tanë të tjerë fetarë. Kjo dukuri po vërehet në tërë vendin por veçanërisht në Shkup e rrethinë.
Jemi të indinjuar nga një veprim i këtillë i policisë dhe konsiderojmë se në këtë mënyrë po bëhet thyerje e parimeve bazë të një shtetit laik që ndërtohet, mes tjerash, mbi respektimin e lirive dhe të drejtave fetare. Njëkohësisht, një veprim të këtillë të policisë nuk kemi si të mos e vlerësojmë si shkelje dhe ndërhyrje në autonominë e BFI, njëherit shkelje flagrante të patolerueshme të Konventave Ndërkombëtare për të drejtat dhe lirit fetare, Karta e OKB dhe Konventa Evropian për të drejtat e njeriut “ neni 9 të drejtat dhe lirit fetare”.
Me këtë rast, po theksojmë edhe një herë se BFI do i qëndrojë besnike vendimit të vetë për të falur Fitër Bajramin në xhami bashkë me xhematin e vetë i cili do të zgjas vetëm 15 minuta, duke pasur kujdes të shtuar për të respektuar rregullat e sjelljes që parashohin masat për mbrojtje nga pandemia.
Me vullnetin e Allahut xh.sh. ezani do thërret për të falur Fitër Bajramin.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy